Tha se Kosova duhet të pranohet në OKB, kërcënohet zyrtarja serbe

Vetëm pak ditë pasi drejtoresha serbe e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, tha se Kosova absolutisht duhet të marrë një vend në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe se Serbia është pajtuar që të mos bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ajo ka marrë kërcënime në murin e një ndërtese.

Grafiti kërcënues, i cili përmban emrin dhe mbiemrin e drejtoreshës e saj është shfaqur në fasadën e ndërtesës në lagjen e Beogradit, Borça, ku ajo jeton.

Pranë emrit të saj ishte shkruar një fyerje seksiste dhe mizogjene, duke përfshirë shkronjën “Z”, e cila simbolizon mbështetjen për agresionin rus kundër Ukrainës dhe shkatërrimin e atij vendi nga lufta, shkruan Gazeta Express.

“Ky sulm tregon qartë qëllimin për të frikësuar aktivistët në mënyrë që ata të mos ndjehen më të sigurt edhe në shtëpinë apo lagjen e tyre”, tha Iniciativa për të Drejtat e Njeriut.

Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës kërkoi nga autoritetet shtetërore që sa më shpejt të gjenden dhe të ndëshkohen personat që kërcënuan drejtoreshën e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq.

Siç deklaruan ata, sulmet ndaj disidentëve politikë kanë për qëllim frikësimin e tyre dhe përpjekjen për t’i mbyllur gojën.

“Është e papranueshme që dhuna të mbizotërojë në shoqërinë tonë dhe më keq është që ajo të promovohet nga institucionet shtetërore apo mediat. Individë që kanë pikëpamje të ndryshme janë në shënjestër çdo ditë dhe kjo paraqet shkelje drastike të Kushtetutës dhe një sërë ligjesh”, thuhet në reagimin e LSV.

Ata shtojnë se shoqëria në Serbi duhet të gjejë përgjigje ndaj këtyre dukurive dhe pa një luftë të qartë kundër politikës së dhunës, ky vend do të jetë i bllokuar në kurth të urrejtjes dhe mungesës së shpresës për një kohë të gjatë.