Elon Musk shkurton 50% të stafit të Twitter: Më vjen keq, por duhet ta bëja

Pronari i ri i Twitter, Elon Musk ka shkarkuar rreth gjysmës së fuqisë punëtore të kompanisë, duke thënë se ai nuk kishte “zgjidhje” pasi Twitter po humbte më shumë se 4 milion dollarë në ditë.

Një postim në Twitter nga Yoel Roth, kreu i sigurisë dhe integritetit të Twitter, iu referua “përafërsisht 50% shkurtime në mbarë kompaninë”.

Por Musk tha se angazhimi i gjigantit të mediave sociale për moderimin e përmbajtjes ishte “absolutisht i pandryshuar”.

Musk, njeriu më i pasur në botë, mori drejtimin e Twitter në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.

Miliarderi insistoi në postimin e tij në Twitter se të gjithë atyre që humbën punën iu ofruan tre muaj pagesa të largimit, “që është 50% më shumë sesa kërkohet me ligj”.

Ndërsa raportet dolën të premten se mijëra punonjës në Twitter në mbarë botën po humbnin punën e tyre, u bënë pyetje mbi të ardhmen e punonjësve përgjegjës për heqjen e materialeve të dëmshme.

Grupet e sigurisë në internet dhe aktivistët kanë sugjeruar që Musk mund të relaksojë politikat e moderimit dhe të ndryshojë ndalimet e përhershme të Twitter-it që u janë dhënë figurave të diskutueshme,  përfshirë ish-presidentin Donald Trump.

Këto shqetësime u nxitën nga komentet e Musk të premten, i cili kërkonte të fajësonte “rënien masive të të ardhurave” të Twitter tek “grupet aktiviste” të cilët “po përpiqeshin të shkatërronin lirinë e fjalës në Amerikë”.

Bëhet fjalë për 784 punonjës në San Francisko, 106 në San Jose dhe 93 në Los Anxhelos, sipas dosjeve të para nga BBC.

Një email i brendshëm dërguar stafit më herët të premten tha se shkurtimet masive të vendeve të punës ishin “për fat të keq të nevojshme për të siguruar suksesin e kompanisë duke ecur përpara”./albeu.com