Palmer: Hapja e negociatave patjetër në mars për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Matthew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin një vendim pozitiv nga Këshilli Evropian në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Në një tubim të organizuar nga Forumi Ekonomik i Delphi në Athinë, ai tha se vonesa e fillimit të negociatave tetorin e kaluar me Shkupin dhe Tiranën ishte një gabim historik.

“Lajmi i mirë është se ekziston mundësia për të korrigjuar këtë gabim në mars, në një takim të Këshillit Evropian. Do të dëshironim të shohim një vendim pozitiv nga Këshilli Evropian dhe hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë”, tha zyrtari amerikan.

SHBA beson se të dy vendet meritojnë të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian dhe kujtuan se raporti i fundit nga Komisioni Evropian ishte pozitiv.

Palmer tha se ishte me rëndësi strategjike që BE të fillojë negociatat me Shkupin dhe Tiranën.

“Eshtë e rëndësishme që BE të dërgojë një sinjal të qartë në Ballkanin Perëndimor që rruga për në Bruksel është e hapur, se ekziston një perspektivë e anëtarësimit eventual të Ballkanit Perëndimor. Edhe Shqipëria dhe Maqedonia Veriore janë vende drejt kësaj rruge”, tha ai.

/tesheshi.com/


Shtuar 8.03.2020 22:35