Zbehet mbështetja e qytetarëve për euro-integrimet

Ka rënë për 15% mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në BE, respektivisht nga 80% sa ishte në 2014-tën në 65% në 2019-tën. Dy hulumtimet e realizuara nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” dhe fondacioni “Konrad Adenauer” tregojnë se për qytetarët BE-ja më nuk është po aq e rëndësishme sa më parë.

Nëse as këtë pranverë nuk fillojmë negociatat për anëtarësim në BE parashikohet që trendi i euroskepticizmit të vazhdojë, ndërsa kjo gjithsesi se do të reflektohet në zgjedhjet e 12 prillit.

Ky është rezultat i shtyrjes së negociatave për anëtarësim vitin e kaluar dhe ky është lajmi i keq i anketës. BE-ja po e humb kredibilitetin në shtetet e Ballkanit, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut. Por lajmi i mirë është se opinioni përfundimisht i kthehet vetvetes. Është rritur aspekti i vetë-kritikës se punët varen nga ne. Është mirë, sepse vetëm kështu mund të bëjmë presion mbi elitat politike, që të zbatojnë politika për të mirën e përgjithshme dhe para së gjithash për interesin tonë dhe jo për ambiciet euro-atlantike – tha Marko Troshanovski, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.

Më 12 prill qytetarët do të dalin dhe ta votojnë opsionin politik, por edhe për atë që partia bën në aspekt të euro-integrimit, se sa këto integrime evropiane janë të rëndësishme për vetë qytetarët dhe a duhet që partitë politike t’i vendosin integrimet evropiane në krye të programeve të tyre politike – deklaroi Sandra Kollçakova, Fondacioni Konrad Adenauer.

Autorët e hulumtimeve, Ivan Nikollovski dhe Mari Helenka Kirher nënvizojnë se shqiptarët janë mbështetës më të mëdhenj të integrimit evropian sesa maqedonasit. Ndërsa mw euroskeptikë janë kryesisht më pak të arsimuarit, më të moshuarit dhe mbështetësit e partive opozitare. 51% e qytetarëve nuk besojnë se vendi është gati për anëtarësim. 49% fajin që vendi nuk është në BE e shohin tek ngecja e reformave, ndërsa 29% tek mos-gatishmëria e BE-së për ta pranuar Maqedoninë e Veriut. Rrjedhimisht rreth 58% e qytetarëve nuk besojnë se këtë vit do të fillojmë negociatat, nga ana tjetër 25.8% vlerësojnë se integrimi i vendit në Unionin Euro-aziatik do të ishte alternativë e integrimit në BE. Megjithatë, qytetarët e vlerësojnë BE-në si faktor më me ndikim dhe donator më të madh në vend, ndërsa SHBA-ja vazhdon të konsiderohet si partneri më i rëndësishëm strategjik.

Anesa Saliu


Shtuar 26.02.2020 15:12