Danimarka hap kufijtë për çiftet që mbetën të ndarë nga Coronavirusi

Danimarka ka hapur kufijtë për çiftet që kishin mbetur të ndarë nga bllokimi për shkak të koronavirusit.Që nga e hëna, partnerët që banojnë në vendet nordike ose Gjermani mund ta vizitojnë Danimarkën.

Rregullat aktualisht kërkojnë që njerëzit ta vërtetojnë lidhjen e tyre të dashurisë me foto, tekst mesazhe apo e-maila.Por, Ministri i Drejtësisë Nick Hækkerup ka njoftuar se këto rregulla do të zbuten në ditët në vijim kështu që gjithçka që do të duhet është një letër e nënshkruar nga të dy palët.“Nëse thoni se jeni në lidhje dashurie dhe nënshkruani një letër, ne do ta marrim si të mirëqenë”, ka thënë ai për TV2.

Aktualisht, rregullat thonë se njerëzit duhet të japin emrin, adresën dhe detajet e kontaktit të partnerit të tyre në Danimarkë, si dhe regjistrime në telefon, fotografi dhe histori të mesazheve për të vërtetuar marrëdhënien e tyre të dashurisë.Banorët e përhershëm të Finlandës, Islandës, Gjermanisë, Norvegjisë dhe Suedisë kualifikohen të gjithë, me kusht që partneri i tyre të jetë rezident i Danimarkës.

Policia ka thënë gjithashtu që kjo mundësi vlen vetëm për ata që janë në lidhje dashurie serioze, të cilat ata i përcaktuan si afërsisht lidhje dashurie në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh – me takime reale dhe jo thjesht përmes internetit ose përmes telefonit.Rregullat e reja do të jenë një lajm i mirë për mijëra çifte të ndara.

Një numër i vendeve europiane po e konsiderojnë rihapjen e kufijve të brendshëm të Europës, derisa përhapja e virusit po ngadalësohet.

Gjermania ka propozuar lejimin e udhëtimit në të gjitha 26 shtetet e tjera të BE-së, plus Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet që nuk janë në BE si Islanda dhe Norvegjia që janë në zonën e Shengenit nga 15 qershori.Bashkimi Europian ka lëshuar udhëzime se si të hiqen më mirë kufizimet në udhëtime.


Shtuar 27.05.2020 12:33