Sot Kurban Bajram, politika shqiptare uron besimtarët myslimanë

Besimtarët myslimanë kanë falur sot Kurban Bajramin.

Besimtarët janë falur për mirësi, shëndet dhe fat për familjen e tyre.

Sakaq, nuk kanë munguar as urimet nga politika shqiptare.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, uron besimtarët.

Edi Rama: Gëzuar Kurban Bajramin!

Edhe Ambasada amerikane në Twitter, ka uruar besimtarët.

Ambasada: Gëzuar Kurban Bajramin! Ambasada e SHBA në Tiranë u uron të gjithëve që festojnë #EidAIAdha një ditë të gëzuar! Sot, besimtarët reflektojnë mbi sakrificat e bëra ndërsa vlerësojnë bekimet e tyre dhe ndihmojnë ata që kanë më pak fat.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uron besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.Nikolla: Urime gjithë besimtarëve myslimanë, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ditës që nderon sakrificën, përkushtimin dhe dedikimin ndaj Zotit! Kurban Bajrami dëshmon dhe kremton fuqinë e Besimit për të kapërcyer dallimet mes kufijve, kulturave, komuniteteve e individëve dhe për të bashkuar njerëzit në emër të miqësisë, dashurisë e barazisë, me empati dhe zemra të hapura. Gëzime e bekime për të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët!”

Edhe deputetët e PD kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e shenjtë të Kurban Bajramit. Deputetja Jorida Tabaku ka zgjedhur disa vargje nga libri i shenjtë i Kuranit për të uruar besimtarët.

Tabaku: Dhe thuaj; E vërteta ka ardhur dhe gënjeshtra është zhdukur. Me të vërtetë e gënjeshtra përherë do të zhduket” (Isra:81) Me këto vargje në gojë Profeti Muhamed shembi idhujt e rremë për ta rikthyer Mekën të pastër.

Për kë e viziton duke përkujtuar devotshmërinë e Ibrahimit dhe Ismailit. Dhe mbi të gjitha besimin e Haxheres dhe Ismailit. Shembuj që na mësojnë aq shumë për dashurinë e Zotit ndaj nesh!

Gjithashtu edhe deputeti Enkelejd Alibeaj ka uruar besimtarët myslimanë nëpërmjet një postimi në facebook ku bën thirrje për përkushtim ndaj mirësisë dhe dhembshuri ndaj njëri-tjetrit.

Alibeaj: Gëzuar e me fat Kurban Bajramin!  Gëzuar për njerëzit që sakrifikojnë çdo ditë e përballen me vështirësite, pa harruar se përkushtimi mirësisë, dhimbsurisë për tjetrin dhe të bërit mirë në këtë botë është kuptimi i jetës. Gëzuar për ata që veç sakrificës së tyre mendojnë e tregohen bujarë e zemërgjerë, me më të varfrit, jetimët, të dobëtit e të vetmuarit.  Për të gjithë ju, sjelltë kjo festë, paqe e lumturi në zemrat tuaja e dashuria për tjetrin qoftë udhërrëfyese përherë”.


Shtuar 28.06.2023 08:41