Marrëveshja e grurit në rrezik? Kievi mban pak shpresa: Nuk jemi shumë optimistë këtë herë

Kievi nuk është shumë optimist se marrëveshja ndërkombëtare për eksportin e grurit ukrainas, e cila skadon në korrik, do të rinovohet, tha sot zëvendëskryeministri i qeverisë ukrainase dhe përgjegjës për rindërtimin e Ukrainës, Oleksandr Kubrakov.

“Ne nuk jemi shumë optimistë këtë herë”, u tha Kubrakov gazetarëve në margjinat e një konference ndërkombëtare mbi rindërtimin e vendit të tij në Londër.

Sipas Kubrakov, kohët e fundit janë eksportuar më shumë produkte bujqësore nga disa porte sesa nga korridori i krijuar nga marrëveshja e arritur në korrik 2022 e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

“Ne po bëjmë çmos për të ruajtur këtë iniciativë. Ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është për Afrikën”, tha ai, duke komentuar se Ukraina po përpiqet të gjejë “rrugë alternative” për të eksportuar produktet e saj.

Marrëveshja ndërkombëtare u zgjat deri më 18 korrik, pas negociatave të vështira dhe të ndërlikuara me Rusinë. Megjithatë, javën e kaluar, Moska kërcënoi të tërhiqej nga marrëveshja, duke argumentuar se disa nga kushtet e saj nuk po përmbusheshin. Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar ndër të tjera Kievin për përdorimin e rrugëve detare të parashikuara në marrëveshje për të nisur sulmet ndaj flotës ruse me dronë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha kohët e fundit se ishte i shqetësuar për të ardhmen e marrëveshjes dhe po punonte shumë për ta zgjatur atë.


Shtuar 21.06.2023 19:02