Si nuk mbarojnë luftërat: Ukraina, Rusia dhe mësimet e Luftës së Parë Botërore

Nga Margaret MacMillan “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 24 shkurt 2022, romancieri i madh ukrainas Andrey Kurkov dhe gruaja e tij u zgjuan në shtëpinë e tyre në Kiev nga zhurma e raketave ruse. Në fillim, ai nuk po mundte ta besonte atë që po ndodhte. “Duhet të mësohesh psikologjikisht me idenë se lufta ka nisur”- shkroi ai. Shumë vëzhgues të pushtimit e ndjenë dhe vazhdojnë ta ndiejnë atë ndjenjë mosbesimi.

Ata u hutuan nga sulmi i hapur dhe masiv i Rusisë, dhe u mahnitën nga rezistenca e fortë dhe e suksesshme të Ukrainës. E kush në ditët e para të luftës, dhe teksa përparonin kolonat ruse, do ta kishte parashikuar se të dyja palët do të vazhdonin të luftonin ende, edhe pas më shumë se një viti?

Me kaq shumë armë, burime të tjera dhe me shumë trupa për të përdorur, dukej si një përfundim i paramenduar se Rusia do ta dërrmonte Ukrainën dhe do të pushtonte brenda pak ditësh qytetet e saj kryesore. Megjithatë, lufta ka hyrë në vitin e saj të dytë dhe po vazhdon në një mënyrë shumë ndryshe nga sa pritej.

Përvoja e një lufte të madhe të mëparshme në Evropë – që e njohim si Lufta e Parë Botërore – duhet të na kujtojë kostot e tmerrshme të një konflikti të armatosur të gjatë dhe të egër. Dhe ashtu si sot, edhe ajo luftë pritej të ishte e shkurtër dhe vendimtare. Megjithatë, sot bota dhe Ukraina përballen me disa pyetje shqetësuese.

Sa kohë do të vazhdojë Rusia me fushatën e saj, edhe pse vazhdojnë të pakësohen shpresat e saj për të festuar fitoren? Çfarë dëmi dhe tmerri më i madh do t’i shkaktohet Ukrainës dhe popullit të saj? Dhe kur do të munden vendet më të prekura nga konflikti, nga fqinjët e Ukrainës deri tek ato që janë anëtare të NATO-s, të mos shqetësohen se lufta do të përhapet jashtë kufijve të Ukrainës?

E kaluara ofron gjithashtu një paralajmërim edhe më të errët. Dhe këtë herë, për të ardhmen, kur të mbarojë lufta në Ukrainë. Ukraina dhe mbështetësit e saj mund të shpresojnë për një fitore dërrmuese dhe rrëzimin e regjimit të Putinit. Por nëse Rusia lihet të zhytet në kaos dhe trazira, e hidhëruar nga humbja dhe e izoluar, me shumë nga udhëheqësit dhe njerëzit e saj që fajësojnë të tjerët për dështimet e saj, siç bënë shumë gjermanë në dekadat ndërmjet dy luftërave, atëherë fundi i një lufte vetëm sa mund të hedhë bazat për një tjetër.

Në pranverën e vitit 1914, pakkush mendonte se ishte e mundur një luftë tokësore midis fuqive të mëdha evropiane. Shtetet evropiane, siç supozonin me vetëkënaqësi banorët e tyre, ishin shumë të avancuara, tepër të integruara ekonomikisht dhe tepër “të civilizuara” për t’iu drejtuar konflikteve të armatosura ndaj njëra-tjetrës.

Luftërat zhvilloheshin ende në periferi të Evropës, veçanërisht në Ballkan apo në territoret koloniale, ku evropianët luftuan kundër popujve më pak të fuqishëm. Gati e njëjta gjë ishte e vërtetë në javët e para të 2022-shit. Udhëheqësit, politikë-bërësit dhe publiku i tyre në Perëndim prireshin ta shihnin luftën si diçka që ndodhte vetëm gjetkë, qoftë në formën e kryengritjeve kundër qeverive jopopullore apo në konfliktet në dukje të pafundme në shtetet e dështuara.

Pra si në vitin 1914 dhe 2022, ata që supozuan se lufta nuk ishte e mundur, e kishin gabim. Në vitin 1914, pati tensione të rrezikshme dhe të pazgjidhura midis fuqive evropiane, një garë e re armatimi dhe kriza rajonale, të cilat çuan në bisedimet për luftën.

Ngjashëm, në muajt para pushtimit rus të Ukrainës, Moska ia kishte bërë të qarta Perëndimit ankesat e saj, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin kishte dhënë shumë shenja për qëllimet e tij. Në esenë e tij të gjatë botuar në vitin 2021, Putin tha se jo vetëm që Ukraina ishte vendlindja e vetë Rusisë, por popujt e saj kanë qenë gjithmonë rusë.

Presidenti rus e kundërshtoi humbjen e fuqisë globale nga Moska pas Luftës së Ftohtë, dhe ishte i bindur se do ta mposhtte shpejt Ukrainën. Edhe në vitin 1914, fuqitë e mëdha kishin vetëm plane luftarake sulmuese, të bazuara tek fitoret e shpejta. Nëse Putini do të kishte bërë llogaritjet e duhura në fillim, ai ndoshta nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën.

Ose të paktën do të ishte përpjekur të tërhiqte forcat ruse sapo të bëhej e qartë se nuk do të arrinte pushtimin e shpejtë dhe pak të kushtueshëm që priste. Por emocionet – pakënaqësia, krenaria, frika – mund të ndikojnë tek vendimet e mëdha dhe të vogla, dhe siç e tregoi 1914-a, mund të ndikojnë gjithashtu edhe tek përvojat e atyre që marrin vendimet.

Ashtu si Cari Nikolla II 108 vite më parë, edhe Putin kujtoi një poshtërim. Si oficer i ri i KGB-së, ai kishte parë drejtpërdrejt tërheqjen e Perandorisë Sovjetike nga Gjermania Lindore dhe më pas shpërbërjen e vetë Bashkimit Sovjetik. Pastaj ai pa zgjerimin drejt lindjes të NATO-s dhe BE-së.

Një nga mësimet e luftës së Rusisë në Ukrainë, është se strategët perëndimorë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mënyrës sesi liderët gjetkë i shohin vendet dhe historitë e tyre. Për shembull, pushtimi i Tajvanit do të mbartte të gjitha llojet e rreziqeve për Kinën. Por kinezët mund të jenë të përgatitur që t’i marrin parasysh ato.

Siç e tregoi Lufta e Parë Botërore, luftërat shkojnë rrallë siç janë planifikuar. Strategët ushtarakë ishin të vetëdijshëm për rëndësinë në rritje të luftës së llogoreve dhe artilerisë, por ishin të papërgatitur për atë që shpejt u bë vija statike e frontit. Një luftë që ishte menduar të përfundonte brenda disa muajsh, zgjati më shumë se 4 vjet dhe kushtoi shumë më tepër në jetë njerëzore dhe burime ekonomike nga sa e kishte imagjinuar dikush në fillim.

Edhe pse lufta në Ukrainë është vetëm në vitin e saj të dytë, edhe ajo është shndërruar në një luftë llogoresh me kosto shumë të larta njerëzore. Një realitet i tillë nuk përjashton mundësinë e operacioneve të reja të rëndësishme nga secila palë dhe ndryshime momentale të vijës së frontit.

Më shumë se një vit pas luftës, përparimet ka të ngjarë të vijnë me një kosto shumë më të lartë. Siç e mësuan gjeneralët në Luftën e Parë Botërore, toka për të cilën është luftuar është më e vështirë për të ndryshuar duar. Dhe të dyja palët i kanë shfrytëzuar muajt e dimrit për të përgatitur mbrojtjen e tyre.

Megjithëse shifra të tilla duhet të trajtohen me kujdes, agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë vlerësuar se gjatë disa prej luftimeve më të ashpra, Rusia ka pësuar mesatarisht më shumë se 800 të vrarë dhe të plagosur në ditë, ndërsa zyrtarët ukrainas kanë pranuar maksimum 200- 500 viktima nga radhët e tyre.

Sa më gjatë të zgjasë një konflikt, aq më të rëndësishëm bëhen aleatët dhe burimet. Në të dyja luftërat botërore, Gjermania dhe aleatët e saj patën disa suksese të hershme. Por ndërsa lufta vazhdonte, koalicioni kundërshtar fitoi luftën ekonomike si dhe atë në fushën e betejës.

Në secilin rast, Britania e Madhe mund të mbështetej tek perandoria e saj jashtë shtetit për pasuri dhe lëndë të para. Më vonë Shtetet e Bashkuara u bënë siç e tha presidenti Franklin Roosevelt në Luftën e Dytë Botërore “arsenali i demokracisë” dhe një ushtri e fortë partnere.

Dominimi i burimeve dhe i fuqisë punëtore ishte jetik në arritjen e fitores së aleatëve.

Në fillim, Rusia u duk se kishte një avantazh të rëndësishëm ndaj Ukrainës, përfshirë një ushtri shumë më të fuqishme dhe më shumë burime nga gjithçka që mund të numërohej. Por ndërsa lufta ka vazhduar, aleatët e Ukrainës janë treguar më të rëndësishëm se fuqia e Rusisë.

Historia ka treguar se luftërat fitohen ose humben sa nga qasja në burime apo konsumimi i burimeve të armikut, edhe nga aftësitë e komandantëve të secilës palë dhe nga trimëria e luftëtarëve të tyre.

Ka të ngjarë që Ukraina dhe Rusia, ndoshta nën presionin e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mund të bien një ditë dakord të bisedojnë për përfundimin e luftës. Koha mund të jetë jetike. Në Luftën e Parë Botërore, pavarësisht përpjekjeve për paqe – për shembull nga Papa dhe nga presidenti amerikan WoodrowWilson – të dyja palët vazhduan të kapeshin pas shpresës së fitores në fushën e betejës.

Gjermania kërkoi armëpushim vetëm në verën e vitit 1918, kur komanda e lartë gjermane e pranoi se po humbiste. Por është e vështirë të imagjinohet se si do të dukej një zgjidhje e tillë në Ukrainë. Sepse ndërsa po rriten humbjet nga të dyja palët, dhe teksa dalin në dritë më shumë raporte mbi mizoritë e Rusisë, urrejtja dhe hidhërimi i akumuluar do të paraqesin pengesa të mëdha për çdo lëshim nga të dyja palët.

Në mënyrë të pashmangshme, në një luftë të gjatë evoluojnë objektivat e të dyja palëve. Në Luftën e Parë Botërore, Gjermania synoi të zgjerohej për të përfshirë Belgjikën dhe ndoshta shtetet baltike dhe Ukrainën. Franca synonte të rimerrte provincat e saj të humbura të Alsas-Lorenës, teksa u grind me Britainë se kush do të merrte pjesët më të mëdha të Perandorisë Osmane të mundur.

Në luftën aktuale, Rusia duket se ka hequr dorë për momentin nga pushtimi i Kievit. Por duket se është e vendosur të pushtojë sa më shumë pjesë që mundet nga Ukraina, dhe ta reduktojë atë që ka mbetur në një shtet të varfër dhe pa dalje në det. Nga ana tjetër, qeveria ukrainase, e cila

në fillim synonte thjesht t’i rezistonte sulmit rus dhe të mbronte territorin e saj, ka deklaruar synimin e saj për ta dëbuar Rusinë nga e gjithë Ukraina, përfshirë Krimenë, si dhe nga pjesët e Donetskut dhe Luhanskut të pushtuara nga Rusia që nga viti 2014. Për sa kohë që të dyja palët vazhdojnë të shpresojnë për diçka që mund ta quajnë fitore, ulja e tyre në tryezën e bisedimeve do të jetë e vështirë.

Humbësit nuk e pranojnë lehtësisht humbjen dhe fitimtarët e kanë të vështirë të jenë zemërgjerë. Traktati i Versajës nuk ishte kurrë aq ndëshkues sa pretendonte Gjermania, dhe shumë nga klauzolat e traktatit nuk u zbatuan kurrë. Por Evropa e viteve 1920 do të kishte qenë një vend më i lumtur nëse aleatët nuk do të ishin përpjekur të nxirrnin dëmshpërblime të larta nga Gjermania dhe ta kishin mirëpritur atë më shpejt në komunitetin e kombeve.

Por historia mund të ofrojë shembuj më inkurajues. Pas Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall i SHBA-së ndihmoi në rindërtimin e vendeve të Evropës Perëndimore në ekonomi në lulëzim dhe, po aq të rëndësishme, në demokraci të qëndrueshme.

Nën kërcënimin e Luftës së Ftohtë, Gjermania Perëndimore dhe Italia, u lejuan të bashkoheshin me NATO-n dhe u bënë anëtarët kryesorë të aleancës transatlantike. Pra edhe armiqtë e dikurshëm mund të shndërrohen në partnerë të ngushtë. Kjo ofron një farë shprese se Rusia e sotme mund të jetë një ditë një kujtim po aq i largët sa është sot Gjermania e vitit 1945. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:Margaret MacMillan, profesoreshë e Historisë Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit dhe autore e librit “Si na ndryshoi konflikti dhe lufta që i dha fund Paqes:Rruga drejt 1914-ës”.

 

 


Shtuar 14.06.2023 10:04

Tags: