Zhdukja e “Koçoles” dhe Sulovarit, blindohet Saranda. Sekuestrohen 8 makina dhe shoqërohen disa persona

Forca të shumta të Policisë së Sarandës kanë zhvilluar një operacion në bashkëpunim me forcat operacionale të Vlorës.

Prej orësh kanë ngritur pika kontrolli për zbulimin e detajeve në lidhje me dy 46-vjeçarët e zhdukur prej 6 prillit, Leonard Thodhorit të njohur si Koçolja dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqi.

Deri më tani raportohet se kontrollet janë zhvilluar në zona të njësisë administrative Xarrë në Bashkinë Konispol, mes Bashkisë Sarandë dhe asaj Himarë. Edhe në Qafë Gjashtë ka kontrolle. Disa persona me banim në Sarandë, kryesisht me precedent penalë janë shoqëruar në polici.

Ata janë dërguar në Vlorë ku janë marrë në pyetje dhe nuk dihet ende nëse janë liruar apo mbajtur.

Ndërkohë në një magazinë në afërsi te fshatit Nivicë të Bashkisë, Himarë është gjetur i fshehur një automjet tip “Mercedes-Benz” që mendohet se është mjeti me të cilin janë rrëmbyer Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.

Një automjet fuoristradë tip “Range Rover” është sekuestruar në Qafë-Gjashtë ndërkohë që janë marrë për verifikim edhe 6 mjete të tjera.

Policia mendon se dy të zhdukurit janë ekzekutuar dhe trupat e tyre mund të ndodhen në territor të Bashkisë Konsipol.

Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan, por në gjendje normale.

Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.

Dy personat u zhdukën më 6 prill. Ata dyshohet të kenë hipur me vullnetin e tyre në një makinë me targa greke të vjedhur në Lezhë, që nënkupton se njiheshin me drejtuesin.

Mjeti në fjalë është pikasur nga kamerat në hyrje të Sarandës, por nuk është parë të dalë më nga qyteti. Dyshimet janë se automjeti i rrëmbyesve mund të ketë përshkruar Qafën e Soronesë për të hyrë ne territorin e Bashkisë Konispol, por ende nuk ka një version zyrtar. Gazetari Artan Hoxha është shprehur se ata janë vrarë e se trupat u janë zhdukur.

Kush janë dy personat e zhdukur?

1-Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

2-Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje./Albeu.com.


Shtuar 22.04.2023 22:10