Pastronte paratë e trafikantëve ndërkombëtarë, Thanas Bako mohon akuzat: Jam i pafajshëm

Avokatja e shqiptarit nga Saranda, Thanas Bako, i cili u arrestua disa ditë më parë në Greqi për pastrim parash të narkotrafikantëve pretendon se klienti i saj është i pafajshëm dhe se së shpejti do të depozitojë në drejtësinë greke prova për pafajësinë e 52-vjeçarit.

Thanas Bako konsiderohet nga Europoli si një nga “peshqit e mëdhenj” të pastrimit të parave që rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Sakaq 52-vjeçari nuk pranon akuzat. Avokatja e tij, Eleni Kriketou në një deklaratë për mediat është shprehur se Thanas Bako mohon akuzat, dhe se vetë ajo do të vërtetojë pafajësinë e tij.

Ndërkaq sipas aktakuzës Bako përmes një kompanie “Real Estate” bënte pastrimin e parave të pista në Greqi për interes të trafikantëve të drogës që operonin në Holandë dhe Belgjikë. Sipas informacioneve më të fundit të siguruara nga grupi hetimor, rreth 6 muaj më parë autoritetet holandeze kanë zbuluar në aplikacionet e komunikimit të një grupi trafikantësh kokaine, një kontakt me 3 gërma, i cili kryente pastrimin e parave.

Ky kontakt përdorte një metodë alternative të transferimit të parave, me ndërmjetësimin e personave, si sistemi haëala, dhe mënyra tjetër e trajtimit ishte me një “korrier” cashi për të mbledhur dhe dorëzuar paratë, i cili çdo ditë e informonte atë për “bilancin” e arkëtimeve dhe pagesave.

Policia holandeze i kreu këto hetime në kuadër të operacionit të koduar “Klaver”, duke arritur të zbulojë se pas kontaktit me 3 gërma fshihej emri i Thanas Bako alias Athanasios Bako, 52 vjeç me shtetësi shqiptare e kombësi greke, lindur në Sarandë, Shqipëri dhe banues në Glifadha, Greqi. Në bazë të komunikimeve në aplikacionet Encrochat, Sky ECC dhe Anom, u zbulua veprimtaria e Bakos në periudhën Qershor 2020 – Maj 2021, ku përllogaritet të jenë qarkulluar rreth 250 milionë euro.

Policia greke, e cila ka nisur gjithashtu hetim ndaj Bakos, ka zbuluar se kompania e tij Real Estate, në të cilën Bako zotëron 99 % të aksioneve, ka në pronësi të paktën 13 apartamente në zonën e Dafnit dhe Ilioupolit.

Kontrollet në banesë i zbuluar valuta të 9 llojeve të ndryshme me vlerë në total rreth 16.000 euro ndërsa i janë zbuluar llogari bankare në vlerën rreth 70 mijë euro. Në banesë gjithashtu ju sekuestruan edhe 2 ora luksoze me vlerë rreth 100 mijë euro./albeu.com/


Shtuar 8.06.2023 10:02