FACT CHECK/ “Austriakët padisin shtetin shqiptar në Arbitrazh”: Si i rikthye lajmi i para një viti, reagimi i audiencës dhe pse bëri bujë tani

Mediat online rikthyen pas një viti lajmin mbi padinë e kompanisë austriake “Ivicom Holding”ndaj shtetit shqiptar pas anulimit të projektit për ndërtimin e një termocentrali me gas në Korçë. Çudia, lajmi mori më shumë reagime në rrjetet sociale tani që u riciklua se sa kur u raportua për herë të parë vitin e shkuar.

Nga Emirjon Senja

Shpesh, mediat online, por edhe ato televizive riciklojnë lajme të caktuara me dashje apo padashje në varësi të llojit të përmbajtjes për të cilën bëhet fjalë.

Ky fenomen ndodh më shpesh para dhe gjatë fushatave elektorale, por vërehet edhe në lajme specifike, siç janë kryesisht ato që kanë të bëjnë me shëndetin apo kujdesin vetjak, të cilat konsiderohen si publikime “pa datë skadence”.

Rrjedhimisht, këto janë lajmet më shpesh të ricikluara, nisur edhe nga kapacitetet e kufizuara të redaksive për të mbuluar me gazetarë çdo sektor, për të cilin raportojnë.

Megjithatë, ka raste kur lajmet riciklohen si të “freskëta” edhe kur ka ndonjë zhvillim periferik në lidhje me ngjarje që kanë të bëjnë le lajmin. Rasti më i fundit është lajmi mbi padinë në Arbitrazh të kompanisë austriake “Ivicom Holding”ndaj Shqipërisë, ku kërkohen 150 milionë euro si dëmshpërblim.

Përgjatë datave 15-16 prill, titujt “Tjetër padi në Arbitrazh ndaj Shqipërisë, austriakët kërkojnë 150 milionë euro” përmbyten portalet në Shqipëri duke u shitur si një ngjarje e re, ndërsa gjithçka ndodhte në kontekstin e raportimeve të mëparshme mbi gjyqin e fituar nga biznesmeni Italian Bechetti ndaj Shqipërisë.

Lajmi u shpërnda gjithandej në mediat online dhe rrjetet sociale duke ngjallur edhe reagime të forta nga qytetarët, të cilët tashmë sipas këtij raportimi do të duhej të paguanin edhe 150 milionë euro të tjera krahas 110 milionë eurove të fituara nga Bechetti.

Në fakt, nga verifikimet tona rezulton se bëhet fjalë për një lajm të ricikluar, i cili sipas të dhënave të konsultuara me platformën Buzzsumo është raportuar për herë të parë po në mediat shqiptare në maj të vitit të shkuar.

Nga kërkimi përmes platformës Buzzsumo rezulton se fillimisht lajmi që lidhet me padinë e austriakëve të “Ivicom Holding” ndaj shtetit shqiptar është shfaqur në mediat shqiptare në maj 2022 (shih grafikun). Po ashtu ka patur raportime sporadike në qershor-korrik dhe më pas kjo histori është harruar për t’u rikthyer furishëm në prill 2023.

Shfaqja në mediat online e lajmeve mbi padinë e kompanisë austriake ndaj shtetit shqiptar. Burimi: Buzzsumo
Shfaqja në mediat online e lajmeve mbi padinë e kompanisë austriake ndaj shtetit shqiptar. Burimi: Buzzsumo

Ajo që bie në sy është se në lidhje me këtë lajm ka patur më shumë postime në rrjetet sociale dhe mediat online tani që u riciklua se sa në maj 2022 kur edhe ndodhi ngjarja.

Kështu, rezulton se në maj 2022, në media me togfjalëshin “kompania austriake” janë publikuar 13 artikuj, ndërkohë që në prill 2023, janë publikuar 23 artikuj.

E njëjta gjë vlen edhe për numrin e ndërveprimeve në rrjetet sociale për këto artikuj në periudha të ndryshme.

Sipas Buzzsumo, rezulton se në prill 2022, lajmet e publikuara për këtë çështje kanë patur 368 ndërveprime të përdoruesve të rrjeteve sociale, ndërkohë në prill 2023 numri i ndërveprimeve rritet progresivisht edhe me numrin e artikujve të postuar duke kapur shifrën 1 871.

Mendohet që një ndër shkaqet që ka rritur ndjeshëm numrin e postimeve dhe ndërveprimeve në rrjetet sociale në lidhje me këtë lajm të ricikluar të jetë nisja e fushatës për zgjedhjet lokale.

Nga vëzhgimi rezulton se pjesa më e madhe e ndërveprimeve në rrjetet sociale ka ndodhur pas shpërndarjes në faqet e figurave të opozitës duke ngjallur edhe reagimet e ndjekësve të tyre.

Si ka reaguar audienca ndaj lajmit "austriakët padisin Shqipërinë në Arbitrazh". Burimi: Buzzsumo
Si ka reaguar audienca ndaj lajmit “austriakët padisin Shqipërinë në Arbitrazh”. Burimi: Buzzsumo

Por a ka një padi nga kompania austriake ndaj Shqipërisë dhe pse u riciklua tani ky lajm?

Po, ka një padi të kompanisë austriake “Ivicom Holding” ndaj Shqipërisë ku kërkohen 150 milionë euro dëmshpërblim, por kjo ka ndodhur në maj 2022 dhe jo në prill 2023.

Në padinë e tyre ndaj Shqipërisë në Dhomën e Arbitrazhit të Stokolmit austriakët e “Ivicom Holding” pretendojnë se shteti shqiptar bllokoi në mënyrë të njënashme dhe të paarsyetuar projektin e ndërtimit të një termocentrali me gas në zonën e Korçës.

Ishte projektuar që gazi që do të përdorej në këtë termocentral do të merrej nga gazsjellësi TAP që futet në territorin e Shqipërisë nga Greqi pikërisht përmes këtij rajoni.

Nisur nga këto rrethana, në 22 prill të 2022 Avokatura e Shtetit hapi garën për zgjedhjen e studios ligjore, e cila do të përfaqësonte shtetin shqiptar në këtë gjyq.

I vetmi informacion i ri në lidhje me lajmin që u ricikluar në shumë media online pas gati një viti ka të bëjë me alokimin e një fondi në llogari të kësaj kompanie.

“Mësohet se javën e kaluar, Ministria e Financave ka kryer një transaksion me vlerë rreth 150 milionë lekë të vjetra në llogarinë e një studio ligjore suedeze, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në përballjen me kompaninë austriake. Gjithashtu është kryer dhe një pagesë prej 500 mijë euro për konsulencë lidhur me mosmarrëveshjen.”

Reagimi në rrjetet sociale

Shpërndarja e këtij lajmi në rrjetet sociale ngjalli shumë reagime në platformën e Facebook. Nga të dhënat e Buzzsumo rezulton se vetëm në faqen e Facebook të Balkanëeb kanë reaguar 536 persona, ndërsa në faxweb.al kanë reaguar 355 veta.

Ndërveprimet që kanë marrë në rrjetet sociale lajmet mbi padinë e austriakëve ndaj shtetit shqiptar sipas mediave online. Burimi: Buzzsumo
Ndërveprimet që kanë marrë në rrjetet sociale lajmet mbi padinë e austriakëve ndaj shtetit shqiptar sipas mediave online. Burimi: Buzzsumo

Ajo që bien ë sy lidhet me faktin se shumë reagime në lidhje me këtë lajm ka patur edhe në portale që nuk kanë fokus audiencën e Shqipërisë, por atë jashtë kufijve të tanishëm, siç janë Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kështu, në faqen e Facebook të portalit “Almakos” konstatohen 280 ndërveprime duke u renditur i treti për nga numri i reagimeve të marra në listën e portaleve që publikuan një lajm të tillë. /albeu.com


Shtuar 22.04.2023 08:08