Para, apartamente, kompjutera e USB, lista e pasurive të Ahmetajt që SPAK vuri në sekuestro

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit dje dhe sot kanë ushtruar kontrolle në shtatë banesa të Arben Ahmetajt dhe familjarëve të tij.

SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi 6 pasuri të ish-zv/ kryeministrit nga të cilat 4 katër apartamente, njëri i përshtatur si AIR BNB në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 llogari bankare të tij në shumën 124 300 Euro.

Gjithashtu, SPAK thotë se nga kontrollet janë sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Kontrollet erdhën pasi Kuvendi i dha leje SPAK-ut që t’i drejtohet gjykatës, e cila e miratoi kërkesën.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e hetimit të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 245, 257/a dhe 287 i K.Penal (procedim penal  i regjistruar ndër të tjerë edhe në ngarkim të personit nën hetim Arben Ahmetaj), sot, më datë 18.07.2023 ka proceduar me kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrove si më poshtë:

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).


Shtuar 18.07.2023 15:42