Putini nuk do të marrë pjesë në samitin Briks

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në një samit që do të mbahet në Afrikën e Jugut, sipas presidencës së këtij shteti.

Ky njoftim vjen pasi lideri i Afrikës së Jugut, ka thënë se çdo tentim për ta arrestuar Putinin nënkupton shpallje të luftës kundër Rusisë.

Nëse Putin largohet nga toka ruse, ai është subjekt i arrestimit, për shkak të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Afrika e Jugut është pjesëtare e gjykatës dhe i kërkohet të ndihmojë në arrestim të Putinit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do ta përfaqësojë shtetin e tij në samitin dyditor, ka thënë zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Vendimi për ta ftuar Putinin – i cili kërkohet për krime lufte në Ukrainë – në Afrikën e Jugut, ka nxitur diskutime të ashpra. Partia më e madhe opozitare në Afrikën e Jugut, Aleanca Demokratike, ka kërkuar nga gjykata që t’i detyrojë autoritetet që ta arrestojnë Putinin nëse ai shkel në territorin e shtetit.

Dokumentet në gjykatë tregojnë se presidenti Ramaphosa ka qenë shumë kundër, duke thënë se përmes një veprimi të tillë kërcënohet siguria kombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka mohuar që Moska i ka thënë Afrikës së Jugut që arrestimi i presidentit të saj nënkupton akt lufte, mirëpo është e qartë për të gjithë, “çfarë do të thotë një shkelje e tillë kundër presidentit të shtetit rus”.

Rusia e ka përshkruar vazhdimisht fletarrestimin si vendim ligjërisht të pavlefshëm, sepse shteti nuk është anëtar i gjykatës.

Samiti i shteteve Briks – akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut – në gusht, shihet nga disa si alternativë ndaj samitit të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë – G7.


Shtuar 19.07.2023 15:25