Greqia nën “pushtetin” e zjarreve, evakuohen 19 mijë persona në Rodos, 20 mijë hektarë të djegur në Korfuz

Prej më shumë se një jave Greqia është në luftë me zjarret. Fillimisht zjarret u përhapën në zonat e pyllëzuara përreth Athinës e më pas u përhapën në ishujt Rodos dhe Korfuz.

Dhjetëra lagje janë evakuuar, ndërsa mijëra turistë janë larguar nga ishujt të trembur nga zjarret. Sipas përditësimeve të fundit, situata paraqitet e rëndë në Korfuz, Rodos dhe Evia, me autoritetet që kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm nga zonat e rrezikuara.

BBC raporton se 19,000 njerëz u larguan gjatë fundjavës nga ishulli i Rodos. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga zjarret në Rodos. Ndërkohë, për sa i përket zjarreve në në Korfuz, zyrtarët bëjnë fjalë për zjarrvënien. Në Korfuz zjarri është ndezur në pjesën veri-lindore të ishullit dhe në jug të Perithias, por sipas zjarrfikësve ende nuk ka arritur në asnjë vendbanim.

Për shuarjen e zjarrit po punojnë 62 zjarrfikës me 21 automjete dhe tre grupe të njësive këmbësore, ndërsa nga ajri dy helikopterë dhe dy avionë.

Më herët, kryetari i bashkisë së Korfuzit të Veriut, Giorgos Mahimaris foli për zjarrvënie, pasi zjarri shpërtheu njëkohësisht në tre vende të ndryshme në shpatet e malit Pantokratoras. Ai vetë ishte në front që në momentin e parë, shkoi në të gjitha zonat e diskutueshme dhe formuloi vlerësimin e zjarrvënieve.

Siç tha ai, pas një beteje gjithë natën me flakët, nuk është djegur asnjë shtëpi, por zjarri llogaritet të ketë djegur deri më tani 20 mijë hektarë. Në Evia, ku po fryjnë erëra të forta, po operojnë 77 zjarrfikës, 25 automjete, tre ekipe të njësive këmbësore dhe tre avionë./albeu.com/


Shtuar 24.07.2023 11:20