Kriza e grurit/ SHBA falënderon Turqinë për rifillimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Ankaraja

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme turke, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Blinken diskutuan zhvillimet e fundit që po ndodhin në Ukrainë dhe veçanërisht temën e transportit të grurit përmes korridorit të Detit të Zi. Diplomati turk e informoi homologun e tij për nismat e ndërmarra nga Ankaraja për të siguruar që marrëveshja e grurit të zbatohet pa probleme.

Po ashtu, Çavuşoğlu dhe Blinken diskutuan dhe ofertat e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe shitjet e SHBA F-16 në Turqi.

Kujtojmë që më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
Të shtunën, Rusia njoftoi se do të pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshje për atë që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.

Më herët të mërkurën, Turqia dhe Rusia njoftuan kthimin e Moskës në zbatimin e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi pas ndërmjetësimit të Ankarasë dhe OKB-së.


Shtuar 2.11.2022 19:53