Meta: Qytetarët janë lodhur nga abuzimet, në tre javë Shqipëria do të jetë krejt ndryshe

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku u shpreh se fitorja e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ do të jetë gjithëpërfshirëse.

Meta tha gjithashtu se qytetarët janë të tejlodhur nga abuzimi i tmerrshëm dhe se pas 14 maji Shqipëria do të jetë ndryshe.

“Në tre javë Shqipëria do të jetë krejt ndryshe nga sot. Regjimi monist në nivelin vendor do të jetë asgjësuar përfundimisht përmes pjesëmarrjes masive të qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit ku do të rivendoset pluralizmi politik dhe llogaridhënia ne nivel vendor njëherë e përgjithmonë.

Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për turin në jug të vendit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që gjeta atje për kandidatët e koalicionit tonë sidomos në Sarandë për Ardit Cikulin, për zotin Fatmir Shero në Konispol dhe për inxhinier Ilir Mehmetin në Delvinë.

Gjeografia e ndryshimit do të jetë gjithëpërfshirëse nga Kukësi, Tropoja në Sarandë deri në Konispol.

Vura re me kënaqësi se primaret kanë funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe apo jo rastësisht kanë përzgjedhur në mënyrë më demokratike të mundshme kandidatët.

Qytetarët janë të tejlodhur nga abuzimi i tmerrshëm që ka ndodhur këto 4 vite”, deklaroi Meta.


Shtuar 24.04.2023 11:29