Greqia rrit pagën minimale në 713 euro, hera e dytë brenda vitit

Greqia vazhdon me masat e saj për të përballuar krizën ekonomike. Paga e re minimale nga 1 maji nga 663 që është sot do të rritet në 713 euro.

Rritja e dytë brenda këtij viti e pagës minimale vjen në një periudhë kritikash ndaj qeverisë Mitsotakis, pasi shumica e qytetarëve po përballojnë një valë të paparë rritjesh së çmimeve të gazit të ngrohjes, karburanteve , artikujve ushqimorë dhe sidomos faturave të energjisë elektrike.

Me një rritje prej 7.5%, ose 50 euro në muaj të shpallur nga kryeministri, Greqia renditet e 9-ta në mesin e 21 vendeve të BE-së që kanë një pagë minimale ligjore. Konkretisht, me rritjen në 831.8 euro me bazë 12-mujore, pagat minimale në Greqi rriten në renditje me 2 vende, duke kaluar Portugalinë (822.5 euro) dhe Maltën (792.26 euro).

Sipas shënimit informativ të Ministrisë së Punës, gati 650 mijë të punësuarit që paguhen me pagë minimale do të kenë një pagë shtesë në vit (50 euro rritja mujore prej 14 pagash = 700 euro).

Megjithatë, paga më të larta mund të priten për të martuarit me deri në 9 vjet shërbim.