Gjysma e demokratëve mendojnë se Biden duhet të rikandidojë, por shumica do e mbështesnin nëse e bën

Vetëm rreth gjysma e demokratëve mendojnë se presidenti Joe Biden duhet të kandidojë përsëri në vitin 2024, sipas një sondazhi të fundit, por një shumicë e konsiderueshme e tyre thonë se ka shumë gjasa ta mbështesin nëse ai bëhet kandidati demokrat.

Sondazhi i agjencisë Associated Press dhe Qendrës Kërkimore për Marrëdhënie Publike, NORC tregon se 26% e të gjithë amerikanëve duan që zoti Biden të kandidojë sërish – një rritje e lehtë nga janari kur kjo shifër ishte 22%.

47 për qind e demokratëve thonë se duan që ai të kandidojë, një shifër që po ashtu ka shënuar rritje nga janari, kur ishte pak më shumë se 37 për qind.

Hezitimi mes votuesve demokratë vjen ndërsa presidenti Biden po përgatitet të shpallë zyrtarisht javën e ardhshme kandidaturën për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2024, sipas personave që kanë dijeni për planin e tij.

Pavarësisht nga rezervat që kanë shumë demokratë për një mandat të dytë të Presidentit Biden, 78% e tyre thonë se e miratojnë punën e tij në Shtëpinë e Bardhë. 81% e demokratëve pohojnë se do ta mbështesin zotin Biden në zgjedhjet e përgjithshme, nëse ai do të jetë kandidati i partisë së tyre, 41% thonë se do ta mbështesin patjetër dhe 40% thonë se ndoshta do ta mbështesin.

Intervistat me të anketuarit në sondazh lënë të kuptohet se hendeku pasqyron shqetësimet për moshën e zotit Biden, si edhe dëshirën e një brezi të ri demokratësh për një udhëheqje që pasqyron demografinë dhe vlerat e tyre. 80 vjeçari Biden, do të ishte 82 vjeç në ditën e zgjedhjeve 2024 dhe 86 vjeç në fund të mandatit të dytë presidencial. Ai është presidenti më i moshuar në historinë amerikane.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, zoti Biden u duk se la të kuptohej se do të shërbente vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë, duke e paraqitur kandidaturën e tij si një urë për një brez të ri udhëheqësish demokratë.

Por gjatë kohës në detyrë, presidenti Biden e ka bërë gjithnjë e më të qartë synimin për të kandiduar për një mandat të dytë, duke thënë së fundmi javën e kaluar në Irlandë se ai “e ka marrë vendimin” dhe se do ta bënte atë të ditur së shpejti.

Në kushtet kur situata në kampin republikan është kaotike, presidenti dhe këshilltarët e tij të lartë nuk kanë ndjerë ndonjë urgjencë për të njoftuar fillimin e fushatës.

Presidenti dhe këshilltarët e tij të lartë politikë do të takohen me donatorë demokratë në Uashington javën e ardhshme në një aktivitet që synon të konsolidojë kontributet financiare përpara fushatës së pritshme për rizgjedhje. Zoti Biden ka hedhur poshtë mëdyshjet e lidhura me moshën e tij, duke thënë se mjafton që votuesit të shohin punën e tij për të përcaktuar nëse është i gatshëm për të kryer detyrën.

Ndërsa shumë demokratë e shohin moshën e zotit Biden si dobësi, të tjerë thonë se ajo është në fakt avantazh, duke përmendur përvojën e tij si senator, nënpresident dhe së fundmi si president.

Vlerësimi për punën e tij është aktualisht 42%, një përmirësim i lehtë nga 38% në mars.

Presidenti Biden dhe ish-presidenti Donald Trump mund të përballen me rezistencë nga publiku në përgjithësi në zgjedhjet e përgjithshme.

65% e të rriturve amerikanë shprehen se nuk ka gjasa ta mbështesin ish-presidentin Trump, mes tyre 53% që onë se pa asnjë dyshim, që nuk do ta mbështesnin.

Pengesat për zotin Biden janë më të vogla, por gjithsesi thelbësore: 56% e amerikanëve thonë se nuk ka gjasa ta mbështesin presidentin Biden, përfshirë 41%, që thonë se janë të sigurt, që nuk do ta mbështesnin.

Zoti Biden prej kohësh ka shprehur bindjen se nëse votuesit përballen me vendimin për të zgjedhur mes tij dhe një kandidati republikan, veçanërisht nëse bëhet fjalë për zotin Trump, shumica e elektoratit do të jetë në anën e demokratëve. /VOA


Shtuar 21.04.2023 22:40