Broja: Çmenduri këto 6 muaj, nuk ka si Southampton për t’u rritur

Armando Broja është i lidhur me Southampton, edhe pse ende nuk është bërë një vit që është pjesë e këtij ekipi. Sulmuesi, autor i 6 golave në Premier League këtë sezon, e vlerëson mundësinë që po merr te “Shenjtorët”.

“Është çmenduri si kanë kaluar këto gjashtë muaj te Southampton, koha ka fluturuar. Jam shumë i lumtur me mënyrën si kanë rrjedhur situatat. Erdha si një djalosh i ri por çdo ditë jam duke mësuar, duke përparuar dhe po filloj të shndërrohem në një burrë.

Kjo është falë Southampton, që më ka ndihmuar shumë në rrugëtimin tim dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të bëj edhe më mirë”, thotë Broja, i cili kujton edhe ndeshjet e tij të parë me Southampton.

“Ndeshja ime e parë në Premier League ishte “wow”, shumë fëmijë e ëndërrojnë këtë. Në stadiumin St.Mary publiku ishte shumë i dashur, ishte një atmosferë surreale. Unë u mundova të qëndroja i fokusuar te fusha.

Thjesht të jem këtu është një nder, të luash në Premier League. Southampton është një klub që njihet për promovimin e futbollistëve, këtu kanë luajtur Van Dijk, Mane, Hojbjerg. Është një klub shumë i mirë për t’u zhvilluar si lojtar dhe është një ambient shumë familjar.

Ndihesh si në shtëpi, i sigurt dhe ku mund të shprehësh lehtësisht cilësitë. Unë e dija se këtu do të gjeja ambientin ideal për veten, ndaj nuk pata dyshime kur zgjodha Southampton. Sa i përket të ardhmes, nuk dua të mendoj për shumë larg. Kjo mund të të shkatërrojë mentalitetin dhe mendjen”, përfundoi Broja./ h.ll/albeu.com


Shtuar 27.02.2022 10:45