Kanabisi mjekësor, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë në 4 qarqet e jugut: T’i pritet rruga çdo tentative për kultivim

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, vijoi takimet me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e jugut në kuadër të shtimit të kontrolleve dhe masave për parandalimin e kultimit të kanabisit.

“Rikonfirmova vendosmërinë tonë për të rritur cilësisht punën parandaluese dhe forcën goditëse kundër kultivimit të kanabisit. Keni detyrimin ligjor dhe të gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo tentative të kultivimit apo trafikimit të kanabisit”, është shprehur ministri Çuçi.

Sa i përket iniciativës së qeverisë për t’i hapur rrugë legalizmit të kanabisit për qëllime mjekësore, Ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit në Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër që kjo të mos keqkuptohet në terren.

“Iniciativa për legalizim për qëllime mjekësore dhe industriale që do të kontrollohet rreptësisht me ligj të posaçëm, s’ka të bëjë fare me kultivimin për trafikim që doemos do të vijojë të jetë një veprimtare e paligjshme”, ka thënë ministri Çuçi.

Më herët gjatë paradites Ministri i Brendshëm mblodhi në takim drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Dy ditë më parë një takim i ngjashëm u zhvillua në Lezhë më drejtuesit e qarqeve të veriut./albeu.com