Shpenzoi lekët e kompanisë ku punonte në lojëra fati dhe denoncoi se ia vodhën, pranga 27-vjeçarit në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e një çante me dokumente dhe me një shumë parash, në automjetin e firmës ku punonte.

Çanta u gjet në banesën e 27-vjeçarit dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi B. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, se i kishin vjedhur çantën me dokumente dhe me 190 000 lekë, në automjetin e firmës ku punonte, në lagjen “Mazreku”, Kashar, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. M. ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e çantës me dokumente dhe para.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar çanta për të cilën kishte bërë kallëzim.

Gjithashtu, pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shumën e parave, shtetasi B. M. e ka shpenzuar për lojëra fati.

Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i shtetasit B. M., 27 vjeç, banues në Kashar, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 4.09.2023 09:02