Delta më ngjitës se gripi, mjeku ngre alarmin: Të fillojë vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç!

Përhapja e shprehur e variantit Delta të virusit SARS-CoV-2 e ka ndryshuar epidemiologjinë e Covid-19, ndërsa koeficienti i riprodhueshmërisë së infeksionit në variantet e mëparshme ishte rreth 3, pra një i infektuar e transmetonte virusin në rreth 3 të tjerë, me variantin Delta ky tregues duket se lëkundet nga 5 në 9, pra ky variant është mjaft më ngjitës.

Mjeku Genc Sulçebe thotë se për rrjedhojë dhe përqindja e pragut të imunitetit të tufes nga rreth 65% që ishte me variantet e mëparshme, llogaritet të jetë tani mbi 85%.

“Nga ana tjetër, duke qenë me infektoz, ky virus po prek me shpejtësi jo vetëm personat e pavaksinuar, por dhe një pjesë të atyre të vaksinuar, por që nuk kane fituar mbrojtje të plotë imunitare nga vaksina dhe që përbëjnë të pakten 10% të personave të vaksinuar”, thotë ai.

Ky fenomen po vihet re në mënyrë tipike në Izrael ku 78% e popullatës mbi moshën 12 vjeç është e vaksinuar me të dy dozat e vaksinës Pfizer. Megjithatë, numri i rasteve të reja është rritur në 650 për 1 milion banorë në ditë. Gjysma këtyre rasteve të reja janë në persona plotësisht të vaksinuar. Kjo ka bërë që Izraeli të filloje bërjen e dozës së tretë përforcuese të vaksines Pfizer në të gjitha moshat mbi 50 vjeç.

Një gjendje e ngjashme duket se po ndodh dhe në SHBA ku rritja e rasteve të reja nga varianti Delta ka bërë që CDC (Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve) e këtij vendi të rekomandojë dozën e tretë përforcuese në të gjithë individët që kanë kaluar 8 muaj nga bërja e dozës së dytë të vaksinës.

“Kjo situatë bën të nevojshme urgjencën e imunizimit të plotë dhe të shpejtë të gjithë personave të të gjitha moshave që nuk e kanë bërë akoma vaksinën për arsye të ndryshme. Nga ana tjetër del e nevojshme që të gjithë individët mbi moshën 50 vjeç dhe që kanë mbi 8 muaj që kanë bërë dozën e dytë të vaksinës të bëjnë një dozë të tretë përforcuese, e cila mund të jetë dhe e ndryshme nga lloji i vaksinës së bërë me dy dozat e para. Psh. ata që kanë bërë vaksinën Astrazeneca, ose Coronavac mund të bëjnë dozën e tretë përforcuese me vaksinën Pfizer”, thotë Sulçebe.

Sipas mjekut, një problem i veçantë paraqitet me fëmijët mbi 12 vjeç që do të frekuentojnë së shpejti mësimin në klasë. “Ngjitshmëria e variantit Delta është e ngjashme me virusin e varicelës, pra ajo është të paktën 3 deri 4 herë më ngjitëse se virusi i gripit. Kjo rrit rrezikun e shpërndarjes së shpejtë të infeksionit nga Covid-19 në fëmijët që do të frekuentojnë klasat. Për rrjedhojë duhet të mendohet fillimi i imunizimit të fëmijëve mbi moshën 12 vjeç me të paktën 1 dozë vaksine në ata fëmijë që nuk kanë kaluar infeksionin”, shkruan ai.


Shtuar 19.08.2021 22:10