Gjenden trupa të dekompozuar në Meksikë, viktima më e re është vetëm 16 vjeç

Foto ilustruese

Policia meksikane ka gjetur 23 trupa pranë burimeve termale. Pas një kërkimi 3-javor për personat e zhdukur, policia gjeti eshtrat e 23 personave në shtetin perëndimor meksikan të Michoacan.

Prokuroria bëri me dije se deri tani janë identifikuar 8 prej tyre.

Viktimat janë nga 16 deri në 60 vjeç dhe janë vrarë në periudha të ndryshme, nga 3 vjet më parë deri në 6 muaj më parë.

Trupat e tjerë janë dekompozuar totalisht dhe është kërkuar testi i ADN-së për t’i identifikuar.

Trupat u gjetën në qytetin Los Negritos në komunën e Villamar.

Është një nga 13 qytetet e rajonit të njohur si “Rruga e vdekjes”, “Corredor de la Muerte” ku raportohet për luftën midis bandave, dy fraksioneve të kartelit të drogës Jalisco New Generation.

Nuk dihet nëse kriminelët i kanë hedhur qëllimisht trupat në Los Negritos, i cili njihet për depozitat shëruese të baltës së zezë, me shpresën për t’i zhdukur më shpejt.

Zona ndodhet jo shumë larg qytetit të La Barca, ku në vitin 2013 autoritetet gjetën rreth 60 trupa në varreza masive të lidhura me kartelin Jalisco.

Kartelet e drogës në Meksikë shpesh përdorin gropa të fshehta varrimi për të asgjësuar trupat e viktimave të rrëmbimit ose rivalëve. Më shumë se 100,000 njerëz janë aktualisht të zhdukur në Meksikë./albeu.com