Skandal, presidenti i FSHP merr familjarët në Kubë dhe lë jashtë sportistët

Presidenti Elez Gjoza e ka kthyer Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, pronë individuale.

Skandalet në institucionin e drejtuar prej tij nuk kanë fund. I radhës është denigrues për sportistët dhe trajnerët e shtangës.

Në Çmimin e Madh të Kubës, delegacioni shqiptar udhëhiqej nga presidenti i FSHP-së Elez Gjoza, i cili mori me vete tre familjarë, bashkëshorten, nipin dhe të fejuarën e tij mëson ekskluzivisht Zoom.al.

I vetmi sportist në këtë kompeticion që u zhvillua nga 8-18 qershor ishte Erkand Qerimaj, i cili çuditërisht nuk mori pjesë në këtë garë kualifikuese.

Gjithashtu pjesë e delegacionit ishin edhe dy trajnerë të kombëtares dhe sekretarja e FSHP.

Sportistët nuk kanë uniforma dhe stërviten në kushte të tmerrshme, por kjo nuk ka rëndësi, pasi Gjoza ka prioritet të kënaqë bashkëshorten e tij dhe familjarët e tjerë.

Me paratë e Federatës, Gjoza abuzon pa iu dridhur qerpiku dhe nuk i jep llogari askujt, pasi edhe ata që bënin opozitë në Komitetin Ekzekutiv, me një të rënë të lapsit i përjashtoi nga Federata.

Pas çdo aktiviteti ndërkombëtar, sportistët tanë ankohen për mungesën e fizioterapistëve apo masazhatorëve, por për t’iu bërë qejfin familjarëve Gjoza sakrifikon njerëzit e sportit.

I njohur ndryshe si presidenti i dopingut, pasi gjatë mandateve të tij në krye të FSHP-së janë regjistruar mbi 14 sportistë me substancë të ndaluar, Gjoza sërish vazhdon të shpërdorojë detyrën e tij dhe pa u shqetësuar nga askush.

Thonë se ka mbështetje politike, por kur abuzimi ka arritur kulmin, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Për më tepër edhe komunitetin e shtangës e ka kundër.

Në FSHP nuk ka transparencë për fondet që jep Federata Botërore për organizimin e turneve të ndryshëm apo fondet e solidaritetit.

Madje, FSHP është i vetmi institucion që nuk ka një faqe zyrtare dhe nuk pasqyron asnjë aktivitet, edhe pse ky është një kriter i kërkuar edhe nga IËF. Këmbanat e alarmit po bien dhe fort!!!


Shtuar 21.06.2023 09:07

Tags: , ,