Abuzuan me aksin Delvinë-Kardhiq, Gjykata e Posaçme kalon për gjyq Sonila Qaton, vijon hetimi për “Vëllezërit Hysa”

Ka kaluar për gjykim, dosja kundër ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe 9 zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni.

Vendimi është marrë gjatë shqyrtimit të rastit në seancën paraprake, ku gjyqtari Erjon Bani, ka miratuar veprimet hetimore të Elvin Gokaj, përfaqësuesit të prokurorisë, duke vendosur kalimin për gjykim të 10 të pandehurve të kësaj dosje penale që mban nr. 175.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato, gjatë seancës paraprake të gjykimit kërkoi pushimin e dosjes, pasi sipas saj nuk ekziston asnjë element penal që faktonte “Shpërdorimin e detyrës” prej saj.

Katër nga të pandehurit, përfshirë këtu Sonila Qaton hynë me gjykim të zakonshëm, duke pretenduar ti nënshtrohet një procesi gjyqësor që do zhvillohet fletë pas flete në dosjen penale.

Ndërsa 6 nga të pandehurit kërkuan gjykim e shkurtuar, të cilin ja pranoi gjykata.

Emrat e zyrtarëve të Autoritet Rrugor Shqiptar, rezultojnë të jenë implikuar në dosjen penale me Nr.175 që bën fjalë për abuzimet në ndërtimin e lotit Nr.7 të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas dokumentacionit të siguruar rezulton se bëhet fjalë për 10 persona zyrtarë të ARSH, ku në krye të listës në cilësinë e të pandehurës qëndron ish-drejtoresha e këtij institucioni, Sonila Qato.

Ndërsa lista vijon me Erdit Salillarin, Elona Gogo, Simon Prendi, Admir Pahumi, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.

Ndërkohë hetimet për këtë rast janë duke vijuar në një dosje të dytë në SPAK, ndaj Agron Hysës njërit prejt pronarëve të shoqërisë private “Vëllezërit Hysa”, Elton Mustës, financierit të kësaj kompanie dhe kompanisë tjetër të ndërtimit “Sulova Ndërtim Prodhim”.

Hetim ndaj dy subjekteve dhe dy individëve është duke u zhvilluar për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, pasi jepen raporte financiare në kryerjen e volumit të punimeve me të dhëna të rreme.

Rezulton se gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, përgjatë një periudhe 3 vjeçare janë kryer disa kontrolle banesash të zyrtarëve të ARSH dhe tek ambientet e zyrave të kompanisë “Vëllezërit Hysa”.

Kallëzimi penal ndaj zyrtarëve të ARRSH është bërë në SPAK në muajin shtator 2019 nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila pretendoi se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore nga kryerja e punimeve të rrugës Kardhiq-Delvinë. /Oranews


Shtuar 21.06.2023 18:48