A ka Evropa një plan për Bjellorusinë pas Lukashenkos?

Nga Žygintas Abromaitis “LRT TV

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Raportet mbi shëndetin e presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, kanë nxitur shumë spekulime:çfarë do të ndodhë me vendin, nëse lideri i saj autokrat largohet nga skena, dhe a ka një plan konkret opozita bjelloruse në lidhje me këtë skenar?

Hera e fundit kur Aleksandër Lukashenko u pa në publik ishte më datën 9 maj në Moskë. Megjithatë, prania e tij për një kohë shumë të shkurtër në paradën e Ditës së Fitores ngjalli akoma më shumë spekulime. Lukashenko pa paradën dhe vendosi lule në një memorial vetëm disa qindra metra larg nga podiumi.

Më pas Lukashenko drekoi me presidentin rus Vladimir Putin dhe disa liderë të tjerë, dhe vëzhguesit vunë në dukje se Lukashenko dukej qartazi se ishte sëmurë. Pavel Latushka, një nga liderët e opozitës bjelloruse, njoftoi se Lukashenko ishte prekur nga një infeksion i rëndë viral.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila vepron nga mërgimi në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, thotë se janë bërë tashmë të gjitha përgatitjet për çdo lloj skenari të mundshëm.

“Në momentin që Lukashenko largohet nga posti që mban, brenda regjimit do të shpërthejë kaosi. Mund të ketë një luftë të egër për pushtet. Unë nuk e di nëse Rusia do të ndërhyjë sërish, por sigurisht që nuk do të mjaftojë vendosja në krye të vendit të një lideri tjetër pro Moskës”- thotë ajo për radiotelevizionin shtetëror lituanez, LRTV.

Sipas saj, mbështetja popullore do të jetë vendimtare për çdo pasardhës, dhe ajo që bjellorusët duan mbi të gjitha janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një valë e re spekulimesh rreth shëndetit të Lukashenkos u ngrit pasi nuk mori pjesë në Ditën e Stemës dhe Flamurit Kombëtar, në të cilën merr pjesë normalisht çdo vit.

Megjithatë, të hënën, agjencia shtetërore e lajmeve publikoi foto dhe pamje të Lukashenkos duke vizituar selinë e forcave ajrore, duke përdorur me shumë gjasa fotot e viteve të shkuara. Por kjo nxiti diskutime të shumta në mesin e opozitës bjelloruse, pjesëtarë të së cilës jetojnë kryesisht jashtë vendit.

Alexander Dabravolski, një këshilltar i Tsikhanouskaya-s, thotë se nëse Lukashenko do të vdiste papritmas ose do të bëhej i paaftë për të qeverisur, opozita do të vinte në zbatim 1 nga 6 planet e saj të veprimit me titull “Vendi i lirë”. “Ne duhet të vendosim kontakte me ata që janë të gatshëm të luftojnë në Bjellorusi, ne duhet të kontaktojmë me ata që po përpiqen të sjellin ndryshim, me politikanët”- thotë ai.

“Në thelb, ne e kemi një ‘plan për fitore’, por nuk e dimë se si do të funksiononte ai. Është më se e qartë se duhet të mendojmë për mbajtjen e zgjedhje të reja, se si të sigurojmë një ekonomi pak a shumë të qëndrueshme dhe si të përmbahemi nga çdo lloj revanshizmi”- vijon më tej ai.

Ndërkohë, sipas analistit politik nga Vilniusi, Vytis Jurkonis, ajo që duhet të përgatitet nuk është vetëm opozita bjelloruse, por edhe fqinjët e këtij vendi në Bashkimit Evropian. Ajo që është me rëndësi, thekson ai, është se nuk duhet të supozohet që ndryshimi do të ndodhë automatikisht sapo të largohet Lukashenko.

“Ne duhet të mendojmë më shumë mbi atë që po bëjmë. Si po përgatitemi? Si po përgatiten demokratët për Bjellorusinë e nesërme? Shqetësimi im i madh është se me shumë gjasa, as demokratët dhe as komuniteti ndërkombëtar nuk janë të përgatitur për një ngjarje të tillë”- thotë Jurkonis.

Sipas analistit lituanez “regjimi i Lukashenkos” është shumë më tepër se vetëm njeriu. Pasi ai mbështetet nga strukturat e pushtetit dhe bizneset. Tek e fundit, ai mbështetet nga qeveria ruse. “Lukashenko është partneri i tyre nr.1 këto ditë. Nëse ai do të dalë nga skena, nuk kam asnjë dyshim se ka një plan B apo edhe C”- nënvizon ai.

“Por problemi është se pala tjetër, komuniteti ndërkombëtar, vështirë se ka ndonjë plan konkret. Edhe pse, pas vitit 2020 ne thoshim se Bjellorusia duhet të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por tani duket se shumë njerëz e kanë harruar tashmë këtë pozicion, sepse kanë lindur probleme të reja”- nënvizon analisti.

Ndërkohë eurodeputeti lituanez, Juozas Olekas, thotë se populli bjellorus është i shtypur nga regjimi, por e dëshiron ndryshimin, në mënyrë që demokratët bjellorusë duhet të mbështeten nga Perëndimi kur të vijë momenti për ndryshim.

“Çështja bjelloruse mbetet ende në krye të axhendës së Parlamentit Evropian. Javën e kaluar ne miratuam rezolutën e 11-të që u bën thirrje institucioneve të ndryshme evropiane dhe shpreh qëndrimin e Parlamentit Evropian, që ne duhet të shtojmë presionin ndaj regjimit aktual bjellorus, liderit të tij, mjedisit të tij të afërt, dhe të ndihmojmë sa më shumë që të jetë e mundur forcat demokratike në Bjellorusi”- thotë ai. /albeu.com


Shtuar 18.05.2023 12:42

Tags: