Roma në Gjermani për të arritur sërish finalen, Leverkusen kërkon përmbysjen

Roma do të tentojë për të dytin vit radhazi të shkojë në finalen e një kompeticioni evropian, kësaj here në Europa League, me shpresën për të triumfuar ashtu siç bëri në Tiranë vitin e kaluar në Conference League.

Verdhekuqtë do të luajnë ndeshjen e kthimit në Gjermani ndaj Leverkusen. Të besuarit e Jose Mourinhos janë në avantazh 1-0 nga ndeshja e parë në “Olimpico”, me golin e shënuar nga Bove. Por ky gol nuk është garanci për të shkuar në finale dhe në kampin roman e dinë shumë mirë këtë, nisur edhe nga dëmtimet e shumta që kanë ndodhur kohët e fundit.

Dybala do të jetë i gatshëm, por vështirë se do ta fillojë nga minuta e parë dhe Mourinho do të duhet të vendosë nëse do të mbështetet në dyshen Belotti-Abraham apo do të zgjerojë më tej mesfushën dhe të vendosë Pellegrinin në mbështetje të sulmuesit të vetëm, që në këtë rast do të jetë Abraham.

Futbolli italian ëndërron të sjellë të paktën një skuadër tjetër në finalen e kompeticionit të dytë europian. Do të jetë e vështirë për Romën, por jo e pamundur. Leverkusen i drejtuar nga Xavi Alonso nuk ka çfarë të humbasë, ndaj do të japë maksimumin për të përmbysur në Bayer Arena.


Shtuar 17.05.2023 12:20