Dëmet nga përmbytjet, Çako: Do të kompesohet gjithçka

Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka folur për situatën e përmbytjeve në veri të vendit. Ai thotë se uji është tërhequr thuajse plotësisht dhe aktualisht po i ofrohet ndihmë banorëve për t’i siguruar ushqimin për vete dhe bagëtinë.

Sa i përket dëmshpërblimit për personat e prekur, Çako shprehet se do të bëhen vlerësimet nga ekspertët dhe gjithçka do të kompensohet sipas ligjit.

Pyetje: Si paraqitet aktualisht situata dhe në cilat zona ka ende probleme?

Haki Çako: Atëherë, situata është drejt përmirësimit të plotë. Nuk ka më probleme, uji pothuajse është tërhequr plotësisht, ka vetëm pak prezencë uji në disa ara, por gjithsesi jemi duke vazhduar operacionin në bashkëpunim me prefekturën e Shkodrës dhe të Lezhës, por edhe me bashkitë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë banorëve për të gjitha nevojat që ata kanë qoftë në aspektin e bazës ushqimore për vete, por edhe bazës ushqimore për bagëtitë pasi kemi sjellë nëpërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit 6 kamionë me Forcat e Armatosura me ndihma ushqimore dhe bazë ushqimore për bagëtinë në Shkodër dhe Malësinë e Madhe.

Pyetje: Ndërkohë zoti Çako sa llogaritet dëmi që kanë shkaktuar përmbytjet dhe a do të ketë dëmshpërblim për qytetarët që janë prekur nga përmbytjet?

Haki Çako: Dëmi, është një fazë, proces i cili sapo tërhiqet uji bëjnë vlerësimet në komisionet përkatëse  të vlerësimit të bashkive bëjnë përcaktimin e qartë të dëmeve të shkaktuar nga fatkeqësia natyrore, nga përmbytja. Dosje të cilat do të vlerësohen dëmet e shkaktuara me ekspertë, me specialistët e bashkive në bazë të ligjit. Gjithçka do të kompensohet në bazë të ligjit. Sigurisht, nëse kapaciteti buxhetor që kanë bashkitë do t’i kalojë ato të mundësive të përcaktuara nga ligji 45 i Mbrojtjes Civile, atëherë do të fillojë të vihet në funksion ligji duke adresuar në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Komitetin e Mbrojtjes Civile trajtimi financiar ose kompensimi i të gjithë dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi./tvklan.al


Shtuar 24.11.2022 17:16