Gjermania sekuestron superjahtin 540 milionë eurosh të miliarderit rus

Autoritetet gjermane kanë sekuestruar superjahtin prej 540 milionë eurosh që i përket miliarderit rus, Alisher Usmanov, në një kantier detar në Hamburg.

Usmanov ishte në listën e miliarderëve që do të përballeshin me sanksione nga Bashkimi Evropian në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Një raport i Forbes bazuar në tre burime në industrinë e jahteve tha se jahti i tij 156 metra Dilbar, me vlerë 540 milionë eurosh dhe që konsiderohet si jahti më i madh motorik në botë për nga tonazhi bruto, u sekuestrua nga autoritetet gjermane të mërkurën.

Jahti ka qenë në hapësirat e firmës së ndërtimit të anijeve Blohm+Voss që nga fundi i tetorit.

Usmanov e bleu Dilbar në vitin 2016 nga ndërtuesi gjerman i anijeve Lürssen, raporton Guardian.

Firma e quan atë “një nga jahtet më komplekse dhe sfiduese të ndërtuara ndonjëherë, si për nga dimensionet ashtu edhe për nga teknologjia”.

Me 15,917 tonë, është jahti motorik më i madh në botë për nga tonazhi bruto, dhe zakonisht ka një ekuipazh prej 96 personash, me hapësirë për 24 pasagjerë në 12 suita. Ka pishinën më të madhe të instaluar ndonjëherë në një jaht, si dhe dy helikopterë, një sauna, një sallon bukurie dhe një palestër.

SHBA ka thënë se do të ndërmarrë veprime të rrepta për të sekuestruar pronat e rusëve të sanksionuar.