Eksperti i ekonomisë: Shqiptarët nuk kursejnë dot, marrin borxhe për mbijetesë

Shqiptarët duket se janë në një krizë të thellë ekonomike, pas tërmetit të 26 nëntorit, pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.

30% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një borxh. Më shumë se gjysma e tyre kanë marrë hua nga familjarët dhe të afërmit ndërsa 45% i janë drejtuar bankave apo institucioneve të tjera financiare, sipas një vrojtim nga Banka e Shqipërisë për pasuritë e familjeve shqiptare.

Në lidhje me këtë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço thotë në Radarin Informativ në Abc se vrojtimi nga Banka e Shqipërisë tregon se në vendin tonë ka një nivel të lartë varfërie.

Muço thotë se shqiptarët marrin borxh për konsum, e jo për të mira, shërbime luksi, apo investime të mëdha.

“Një e treta e familjeve shqiptare kanë borxhe. Kjo tregon një nivel të lartë varfërie. Nuk është problemi e marrjes së borxhit. Problemi është se për çfarë e marrin familjet shqiptare  borxhin. Shqiptarët marrin kredi konsumatori, e kanë të vështirë të mbulojnë aktivitetet të zakonshme”, shprehet eksperti.

Shqiptarët kanë marzhe të ulëta kursimi

Ndër të tjera Muço tha se shqiptarët e kanë të vështirë të kursejnë. Duke marrë bë konsideratë pagat e ulëta dhe informalitetin, eksperti i ekonomisë tha në Radarin Informativ në Abc se se shqiptarët kanë kulturë të ulët financiare dhe se aksesi në banka është i kufizuar.

“Shqiptarët e kanë të vështirë të gjenerojnë kursime e të bëjnë një jetë dinjitoze. Sistemi bankar në Shqipëri ka kosto relativisht të larta. Në Shqipëri ka paga të ulëta, kanë paga të pa deklaruara ose janë të pa punë. Aksesi nëpër banka është relativisht i ulët. Shqiptarët i kushtojnë shumë rëndësi arsimimit. Kërkojnë maksimumin,  duke i çuar fëmijët në kolegje private apo jashtë Shqipërisë. Shpesh herë shqiptarët detyrohen të marrin hua për të garantuar shëndetin e tyre.

Shqipëria ka tendencë rënëse të popullsisë dhe rënie të lindjeve. Tani shqiptarët kërkojë të ikin sepse duan një të ardhme të sigurt.

Këtu jeta është e pasigurt. Kultura financiare e shqiptarëve është e ulët. Se sa pak e strukturuar është ekonomia shqiptare. Fermerët apo qytetarët shqiptarë që kanë ndërmarrje në bujqësi e kanë të vështirë aksesin në sektorin bankar”, tha Muço.

Eksperti i ekonomisë tha se pagat e ulëta, informaliteti në bujqësi krijojnë pamundësi kreditimi. Ai shtoi se 90% e bizneseve në vendin tonë janë të vogla dhe se nuk kanë tendencë të rriten si pasojë e kreditimit.

Muço tha se kursimet e ulëta të familjeve shqiptare janë tregues se një pjesë e mirë e popullsisë ka vështirësi për mbijetesë.

“Kursimet e ulëta të familjeve tregojnë se një pjesë e shqiptarëve e kanë të vështirë jetesën, apo mbijetesën. Rritja e varfërisë do të jetë edhe më e madhe në vijim.

41,3% e buxhetit në familje shkon për konsumin e përditshëm, për mbijetesë jo për luks. Rritja e vazhdueshme e çmimeve tregon se shqiptarët do e kenë më të vështirë”, u shpreh eksperti.