“Rama nuk e fsheh dot admirimin për Berishën”, Basha: PD, e mbushur me shpresë!

Kreu i PD-së Lulzim Basha, i ftuar në “News 24” është shprehur se kryeministri Edi Rama nuk e fsheh dot admirimin që ka për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjithashtu Basha u shpeh se PD është e mbushur me shpresë dhe se ka larguar hijet e së shkuarës.

Pjese nga intervista:

Pyetja: Z.Basha, ju në të gjitha deklaratat tuaja për mediat, në çdo konference, por edhe gjatë kësaj interviste, e përmendni shpesh trekëndëshin e bermudës. Por nga ana tjetër, është vetë Sali Berisha që iu akuzon për një bashkëpunim me kryeministrin  Rama. Sa herë e dëgjoni këtë, sepse po aq shpesh përmendet dhe nga ana tjetër? Çfarë iu thotë kjo fjali, kjo akuzë?

Lulzim Basha: Mendoj që dua ta rakordoj këtë pjesë, do ta rakordoj më mirë me Ramën, sepse u bë kohë që Rama nuk e fsheh dot admirimin për Sali Berishen, publikisht.

Pyetje: Si e shpjegoni këtë?

Lulzim Basha: Besoj që ajo me të cilën e filluat pyetjen, e shpjegon. Trekëndëshi i bermudës. Mënyra se si e thotë, nuk është bindëse. Kështu që, sugjerimi im, do të ishte ta rakordoj këtë pjesë më mirë me Ramën, sepse ndërkohë Rama, siç e patë, edhe këto dy- tre ditët e fundit, si në shprehje publike, por edhe më përpara në parlament, nuk arrin ta fshehë dot admirimin për Sali Berishën.

Pyetje: Z.Basha, sa mund të rrijë bashkë Rama-Berisha?

Lulzim Basha: Trekëndëshi i Bermudës, bashkohet nga kultura e vjetër politike, që sapo ua përshkrova më sipër. Nga kulti i individit, nga linçimi, nga shpifja, nga shpikja prej asgjëje, nga politika si sport, si lojë, por dhe si mjet, për pushtet dhe pasurim personal, dhe s’ka të bëjë me kulturën politike që unë përfaqësoj. Dhe që sot rrezaton kudo, në një parti demokratike të çliruar nga një mal që kemi patur mbi shpatulla, dhe po rrezaton gjithmonë e më shumë në shoqëri. Politika nuk është e përjetshme, nuk mund të jesh përjetë në politikë. Pushteti nuk është i përjetshëm, politika nuk mund të jetë nje mjet pasurimi. Shpifja dhe linçimi ndaj kundërshtarit politik, nuk është politikë, por është një mënyrë për të krijuar ndasi të rrezikshme, shkatërrimtare dhe asgjësim të të vërtetës. Sepse përndryshe, si e shpjegoni që janë kundër vettingut të politikanëve?! Se aty ndahet e vërteta dhe gënjeshtra!

Çfarëdo akuzash të hidhen ndaj meje, dhe ata përsërisin të njëjtat akuza, po ti shikoni, edhe me të njëjtat fjalë, për çfarë akuzon Edi Rama, për çfarë akuzon Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë të njëjtat akuza me të njëjtat shprehje. A thua se mblidhen në odë natën vonë, vendosin, dhe pastaj dalin të nesërmen dhe sulmojnë kryetarin e partisë demokratike, kryetarin e e opozitës, me të njëjtat akuza. Po mirë! Shumë mirë! Le ti marrim këto akuzat e tyre ndaj meje. Le të fillojë vettingu politik ndaj meje! Jua kam bërë këtë ofertë! Mjafton, që të votojnë vettingun politik. I kemi çuar amendamentet. Venecia i ka dhënë dritën jeshile që në 2018. Urdhëroni ta votojmë vettingun politik. Të fillojë vettingu politik nga unë, por të vazhdoje me ata të tre, dhe të gjithë politikanët kryesore në vend. Kjo është përgjigjia ime.

Pyetje: Z.Basha, duke qenë se flasim për Foltoren, e cila vijon, dhe ju e dhatë qëndrimin tuaj, nga ana tjetër është thënë gjithmonë, mundësia e madhe për një tjetër për një tjetër proteste, që nuk dihet, mund të jetë si ajo e 8 janarit, ne forma të ndryshme, sikurse e ka shprehur z. Berisha dhe mbështetësit e tij. Ju prisni një rikthim në selinë e partisë demokratike, si ajo e 8 janarit?

Përgjigje: Shiko! Ajo që ne e kemi në qendër të vëmendjes tani……

Pyetje:.Keni shprehur që i keni marrë masat, keni marrë çdo masë. Si është?

Përgjigje: Është e njëjta gjë. Prandaj nuk desha të bëhem përsëritës. Partia demokratike e ka provuar se është e gatshme, të përballet me çdo situatë. Ndërsa kjo që thoni ju, është një pjesë e vogël e shërbimit, që një nga brinjët e trekendëshit të bermudës, vazhdon t’iu bëjë dy brinjëve të tjera, në veçanti pushtetit dhe Edi Ramës. Sepse çdo moment që ne konsumojmë me sulmet e Sali Berishës, kundër partisë demokratike, është një moment i humbur për qytetarët dhe për interesin publik. Kur duhet të flisnim për korrupsionin e qeverisë, duhet të flisnim për pandëshkueshmërinë, duhet të flisnim për korrupsionin e inceneratorëve, duhet të flisnim për rrugët e florinjta, që po shkojne 5-fish, 6-fish i çmimit, krahasuar me të njëjtat projekte në vendet e tjera të rajonit, duhet të flisnim për varfërinë dhe rrugët për të nxjerrë nga varfëria shumicën e shqipëtarëve, të cilët po zhyten përditë e më shumë në mjerim ekonomik. Duhet tëflianim për pandeminë, duhet të flisnim për shëndetësinë, për arsimin. Pra, e shikoni pra, se si në pesë muaj, investimi më i mirë i Edi Ramës, për të mbuluar dështimet dhe korrupsionin e tij, është Sali Berisha, foltorja, dhe përpjekja e tij për të penguar aksionin opozitar dhe partinë demokratike. Nuk ia ka dalë! Ne ia kemi dalë, të përballemi me tre brinjët e trekëndëshit të bermudës dhe do vazhdojmë të përballemi hap pas hapi. Ku e gjejmë forcën? Tek ajo që iu thashë në fillim. Të tre bashkë, janë më të vegjël, më të paktë, janë pakica absolute në këtë vend. Ndërsa ne, që në pamje të parë mund të dukemi të vetëm përpara tre faktorëve politik, jemi shumica, sepse përfaqësojmë shumicën, që është e lodhur dhe iu ka ardhur në majë të hundës, me truket dhe lojrat e trekëndëshit të bermudës, që bëhen për një arsye, qëllimin e tyre për të qëndruar përjetë në pushtet, pasurimin e paligjshëm në kurriz të varfërimit të shumicës së shqipëtarëve dhe vjedhjes së ëndrrave dhe aspiratave të tyre, për një të nesërme më të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre.

Pyetje: Në këtë logjikë, do ta vijoni turin me bazën zoti Basha dhe pse pikërisht tani? Pse nuk u bë më përpara?

Përgjigje: Kontakti im me demokratët ësht i pandërprerë. Nuk është se po ndodh tani, dhe s’ka ndodhur para 6 muajsh, para 10 muajsh, para një viti. Vit për vit , kontakti im me demokratët, merr dhe këtë formë, që ju e quani të turit, vizive, që është e dukshme për median, por dhe kontaktin e përditshëm, që mund të mos jetë në sytë e medias. E rëndësishme është kjo, që pavarësisht gjithë këtyre ngjarjeve, prania, qoftë në takimet e vogla qoftë në sallat e mbushura, niveli i përfaqësimit, cilësia e përfaqësimit, numri i atyre që po kthehen, faktorëve shoqëror, që gjithmonë e më shumë e shohin veten tek partia demokratike dhe tek aksioni ynë politik, shtohen. Dhe kjo është një e vërtetë që mund ta tërbojë trekëndëshin e bermudës. Sepse tregon se ata pavarësisht se kanë të gjithë instrumentat, qeveria ka gjithë instrumentat e pushtetit. Të tre bashkë përfaqësojnë shumëzuar për tre, 90 vjet investim politik, një shekull investim politik, prapë se prapë, nuk ia kanë dalë të zbehin, por e kanë forcuar vendosmërinë e partisë demokratike, për të çuar deri në fund misionin me të cilin ka lindur, një Shqipëri normale, europiane. Rreth kësaj tani po konvergojnë interesat e gjithë grupeve shoqërore. Le të flasim për shembull për sipërmarrjen, ku ësht shkatërruar konkurrenca. Konvergon drejt partisë demokratike sepse te ne shohin shpresën për të rikthyer dhe njëherë një ekonomi, me rregulla të barabarta, me konkurrencë të ndershme, ku secili bën përpara në bazë të aftësisë dhe jo në bazë të cilit ministër njeh, e sa orë shpenzon me kryeministrin. Apo le të marrim shëndetësinë dhe arsimin , të cilat janë në kolapsin më të thellë të këtyre 30 viteve, pavarësisht prej taksave të rritura , gjobat, ryshfetit, faturave, prapë se prapë shërbimet publike, duke filluar siç e thashë me arsimin dhe  shëndetësinë, janë në ditën e tyre më të zezë. Mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, të cilët e kanë parë, pjesërisht apo plotësisht, programin tonë të shpaloset. Tani shoh një parti demokratike, jo vetëm me vizion dhe program, por dhe të shkëputur siç e thashë, nga hijet e të shkuarës, dhe kjo në vetvete i mbush me shpresë, që vendi e ka nje alternativë. Dhe kjo alternativë nuk është një parti, që synon pushtetin për hir të pushtetit, por që synon të sjellë jo thjesht një ndryshim politik, por një ndryshim kulturor. Një politikë që bëhet për njerëzit dhe nga njerëzit, që do të thotë një politikë që i arrin qëllimet e veta, votë-besohet dhe ecën përpara, nuk ia arrin, largohet me votë, dhe kështu ecet përpara. Dhe këtu zenë vend edhe propozimet tona politike, duke përfshirë kufizimin e mandateve të kryeministrit, reformën kushtetuese, reformën territoriale dhe gjithë hapat e tjerë në parlament.


Shtuar 29.01.2022 18:57