Tensionet Shqipëri-Athinë, Rama i prerë për çështjen Beleri: Asnjë lloj ndërhyrje në drejtësi nuk do të gjejë përkrahje nga ne

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një komunikim me gazetarët. Nga ambientet e kryeministrisë, kreu i qeverisë bëri me dije se qëndrimi i tyre lidhur me çështjen Beleri nuk do të ndryshojë, pasi është në dorë të drejtësisë. Sipas tij, asnjë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë nuk do të merret parasysh nga qeveria.  Shqipëria dhe Athina kanë pasur marrëdhënie të tensionuara kohët e fundit, pas arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit ndodhet në burg prej 12 majit me akuzën e blerjes së votave, ndërsa Athina kërkon lirimin e tij.

Rama: Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj. Në këtë pikë asgjë nuk është më e rëndësishme se sa mbrojtja me të njëjtën mënyrë siç kemi vepruar në të gjitha rastet e tjera, e qetësisë së veprimtarisë së sistemit të ri të drejtësisë. Asnjë lloj interferencë ngado që të vijë, nuk do të gjejë përkrahje dhe mirëkuptimin tonë. Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë dhe nuk i komentojmë organet e reja të drejtësisë. Kjo është e panegociueshme për forcën që qeveris sot. Të tjerët mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë, ne jo.

Pesha e kësaj reforme (Reforma në Drejtësi) i kalon të gjitha peshat e reformave të tjera. Është e rëndë sepse lidhet drejtpërdrejt me lirinë e atyre që kanë pushtet. Mund ta humbasin lirinë nëse e shfrytëzojnë pushtetin për të cenuar të drejtat e publikuat apo individëve të tjerë. Unë mrekullohem kur dëgjoj që në vend se kjo të jetë një arsye e përbashkët për tu ndierë mirë që drejtësia më në fund, pas 100 vjetësh po vepron si e tillë, kthehet në një arsye për të bërë cic-mic, mjau-mjau jo po si ndiheni ju, jo po çfarë bëni ju. Unë ndihem shumë krenar për këtë që kemi bërë.

Kujtojmë se disa ditë më parë në Athinë, me ftesë të kryeministrit grek u mbaj një darkë informale ku ishin të ftuar drejtues të BE-së dhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.

Por në këtë darkë mungoi kryeministri Rama. Në vend të tij u ftua Presidenti Begaj, por ky i fundit e refuzoi ftesën me pretekstin se e kishte agjendën të paracaktuar.

/Albeu.com. 


Shtuar 25.08.2023 13:26