Kompanitë çeke, interes për agroturizmin dhe rritjen e agrumeve

Infrastruktura e transportit (rrugët, hekurudhat, aeroportet), prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja e energjisë, bujqësia, turizmi, mjedisi apo shëndetësia janë disa nga sektorët që investitorët e huaj shohin me interes në Shqipëri.

Z. Petr Vlk, Shefi i Zyrës Ekonomike dhe Tregtare, Ambasada e Republikës Çeke në Shqipëri, thotë në një intervistë për “Monitor” SE turizmi ose bujqësia mund të tërheqin më shumë investime private në të ardhmen, përfshirë dhe ata çekë.

Deri tani, nuk ka sipërmarrje të mëdha çeke të pranishme drejtpërdrejt në tregun shqiptar. Por së fundmi, disa investitorë çekë po marrin në konsideratë investimin në agroturizëm, ose në rritjen e agrumeve. Ata janë në kërkim të tokës së përshtatshme.

Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes dy vendeve në aspektin tregtar dhe të investimeve?

Marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare midis Republikës Çeke dhe Shqipërisë kanë një traditë të gjatë, pasi marrëdhëniet diplomatike u vendosën 100 vite më parë. Në fakt, këtë vit kremtojmë 100-vjetorin.

Pavarësisht izolimit të Shqipërisë gjatë regjimit komunist, Republika Çeke qe një partner i rëndësishëm tregtar dhe në gjysmën e dytë të viteve 1980, edhe partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Traktorët çekë Zetor, ose lokomotivat ČKD, të cilat importoheshin në Shqipëri në atë periudhë, janë ende të njohur për qytetarët shqiptarë.

Aktualisht, tregtia çeko-shqiptare është në nivelin më të lartë historik, duke arritur në 135 milionë euro në vitin 2021, një rritje prej 50% nga viti në vit.

Në vitin 2020, tregtia e ndërsjellë u kufizua për shkak të pandemisë dhe për këtë arsye, shumë dërgesa të planifikuara u shtynë deri në vitin 2021, megjithatë tregtia e ndërsjellë u rrit gjithashtu me 33% krahasuar me vitin 2019.

Eksportet e Republikës Çeke në Shqipëri në vitin 2021 arritën në 63 milionë euro dhe importet nga Shqipëria, në 72 milionë euro. Kjo do të thotë se bilanci tregtar i ndërsjellë është në favor të Shqipërisë, sipas Zyrës Çeke të Statistikave. Nga viti në vit, eksportet çeke janë rritur me 44% dhe importet nga Shqipëria, me 55%.

Republika Çeke eksporton në Shqipëri kryesisht materiale instalimesh elektrike, kabllo si gjysmëprodukte për prodhimin e kabllove të makinave, detergjentë, makina pasagjerësh (këtë vit kemi dorëzuar 100 makina Škoda për policinë shqiptare), pjesë kompjuteri dhe produkte të ndryshme ushqimore, p.sh. Birra çeke Budweiser ose Pilsner Urquell. Importet nga Shqipëria konsistojnë në kabllo makinash, argjend, energji elektrike, këpucë lëkure, perime dhe fruta, si dhe veshje.

Për sa u përket investimeve, nuk ka investime të rëndësishme çeke në Shqipëri ose anasjelltas.

Cilat janë kompanitë më të mëdha çeke që operojnë aktualisht në Shqipëri dhe si e vlerësojnë ato tregun shqiptar?

Nuk ka kompani të mëdha çeke të pranishme drejtpërdrejt në tregun shqiptar, e kam fjalën për kompani që kanë degët apo investimet e tyre këtu. Megjithatë, shumë kompani të njohura çeke operojnë në treg nëpërmjet distributorëve vendas.

Mund të përmendim kompani si Škoda Auto a.s., prodhuesit e birrës Budějovický Budvar s.p. (marka Budweiser), Plzeňský Prazdroj a.s. (markat Pilsener Urquell, Gambrinus), prodhuesi i shtretërve spitalorë LINET spol. s r.o., prodhuesi i gomave Barum Continental, prodhuesi i enëve të kuzhinës Tescoma, prodhuesi i pajisjeve elektrike shtëpiake ETA, etj.

Tregu shqiptar është i vogël për sa i përket numrit të konsumatorëve dhe fuqisë blerëse të tyre, megjithatë është premtues për të ardhmen. Për shitjen e disa produkteve, p.sh. birrave, është tërheqës sidomos në sezonin turistik veror, kur shitjet rriten ndjeshëm.

Në lidhje me projektet e reja të infrastrukturës së transportit në Shqipëri, kompanitë çeke dëshirojnë të marrin pjesë me furnizimet e tyre teknologjike në ndërtimin e aeroporteve të rinj, duke përfshirë edhe pajisjet e kontrollit të trafikut ajror.

Ato janë të gatshme të marrin pjesë edhe në ndërtimin e hekurudhave, duke furnizuar mjetet lëvizëse, ose sistemet sinjalizuese, si dhe në ndërtimin e rrugëve me ofrimin e sistemeve inteligjente të transportit.
Cilët janë sektorët në Shqipëri që i shihni si më potencialë për tërheqjen e investimeve dhe pse?

Ka shumë sektorë ku Shqipëria po modernizohet, p.sh. infrastruktura e transportit (rrugët, hekurudhat, aeroportet), prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja e energjisë, bujqësia, turizmi, mjedisi apo shëndetësia.

Të gjithë këta sektorë marrin fonde, ose nga qeveria shqiptare, institucionet financiare të BE-së dhe ndërkombëtare, ose nga investitorë privatë. Veçanërisht prodhimi i energjisë së rinovueshme, si energjia diellore apo e erës, ka potencial të madh për investime private, duke pasur parasysh krizën aktuale të energjisë dhe rritjen e çmimeve të hidrokarbureve.

Turizmi ose bujqësia janë shembuj të tjerë të potencialit investues. Këta sektorë mund të tërheqin më shumë investime private në të ardhmen, duke përfshirë investimet nga Republika Çeke.

A ka interes konkret nga kompanitë çeke për të investuar në Shqipëri dhe në cilat fusha?

Disa investitorë çekë po marrin në konsideratë investimin në agroturizëm, ose në rritjen e agrumeve. Ata janë në kërkim të tokës së përshtatshme.

Si do ta vlerësonit mjedisin e Shqipërisë për të bërë biznes, krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Unë nuk kam përvojë personale biznesi në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kështu që e kam të vështirë të bëj një krahasim. Shqipëria ka bërë shumë për ta bërë mjedisin e saj të biznesit më efektiv, megjithatë shumë gjëra mbeten për t’u përmirësuar.

Shembull i mirë i progresit të vazhdueshëm është niveli i dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare. Me portalin e-Albania mund të regjistroni një kompani të re, të aplikoni për leje ndërtimi online, ose të bëni shumë aplikime të tjera. Mendoj se në këtë fushë, Shqipëria mund të marrë epërsinë në rajon.

Cilat do të vlerësonit si avantazhe konkurruese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit?

Shqipëria ka një natyrë të mrekullueshme, male dhe bregdet të gjatë me shumë plazhe të bukura dhe ujë të pastër. Shqiptarët janë miqësorë dhe shumë mikpritës.

Ushqimi është gjithashtu i mrekullueshëm. Shqipëria ka padyshim një potencial shumë të lartë turistik. Fatkeqësisht, ka mungesë të kapaciteteve akomoduese turistike në pikun e sezonit. Infrastruktura më e mirë rrugore, veçanërisht për sa i përket aksesit në plazh, mund të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve në kapacitete të reja.

Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe për këtë arsye, mund të prodhojë pothuajse të gjithë energjinë e saj elektrike nga uji.

Megjithatë, ekziston gjithashtu një potencial i madh i energjisë diellore, si dhe energjisë së erës, për shkak të kushteve të favorshme klimatike. Këto janë disa shembuj të avantazheve që mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.
Së fundmi disa kompani çeke kanë ardhur në Shqipëri, si pjesë e misionit të tyre tregtar. Cili është profili dhe interesi i tyre?

Më 4 Prill 2022 erdhi në Shqipëri misioni i biznesit të prodhuesve çekë të pajisjeve mjekësore. Sektori shqiptar i shëndetësisë po modernizohet dhe kompanitë çeke do të donin të kontribuonin këtu.

Kompanitë prezantuan prodhimet e tyre para partnerëve shqiptarë në ambientet e Ambasadës Çeke, mes tyre përmendim furnizuesin e shtretërve spitalorë LINET, prodhuesin e inkubatorëve neonatal TSE, furnizuesin e pajisjeve për shpërndarjen e gazeve mjekësore MZ Liberec, dhe furnizuesin e sistemeve të mbrojtjes biologjike EGO Zlín. Këto kompani janë ndër prodhuesit kryesorë çekë të pajisjeve mjekësore.

Disa nga kompanitë e sipërpërmendura erdhën për të gjetur distributorë vendas, por edhe për t’u prezantuar para përfaqësuesve të spitaleve më të mëdha shtetërore dhe private shqiptare, si dhe për të diskutuar planet dhe nevojat e tyre për modernizim.

Republika Çeke ka një nga sistemet më të mira të kujdesit shëndetësor në Bashkimin Europian dhe prodhimi i pajisjeve mjekësore ka një traditë shumë të gjatë atje.

Kompanitë tona nuk janë vetëm prodhuese të pajisjeve të veçanta mjekësore; ato gjithashtu mund të pajisin plotësisht me produktet e tyre spitalin, ose edhe pavijone të veçantë, si sallën kirurgjikale, njësinë e kujdesit intensiv, dhomat e lindjes, laboratorët etj.

Kjo ngjarje, pa asnjë dyshim, ka kontribuar në zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare çeko-shqiptare./Monitor/


Shtuar 1.05.2022 07:32