Marrëveshja e UBT me universitetin e Michiganit, Rama: Më mirë një mik se një çiflig

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me universitetin e Michiganit. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh me bindje se UBT do të jetë universiteti i së ardhmes. Kryeministri theksoi se do të përshpejtohet modernizimi i këtij universiteti.

Kreu i qeverisë vlerësoi marrëveshjen me universitetin amerikan të Michiganit, duke theksuar se “më mirë në mik se një çiflig”.

“Më mirë një mik se një çiflig. Dhe sot UBT ka një mik. Është prania dhe vullneti i universitetit të Micihganit për tu bërë partner strategjik i universitetit të Tiranës.

Unë hyj ndër ata që besojnë mbase ende janë pakicë por jam i bindur që do bëhen shumicë se ky universitet është një nga universitet e së ardhmes. Sepse këtu nuk është çështja siç ka qenë, universiteti bujqësor merret me bujqësi, fshatar. Këtu çështja është komplet tjetër dhe do të jetë gjithnjë dhe më shumë në fokusin e njerëzimit dhe elitave. Qëndrueshmëria e zhvillimit dhe kapacitet për të shfrytëzuar burimet natyrore dhe pasuritë.

Kjo që ndodh sot është një moment shumë domethënës. Është një luftë që ndër të tjera na tregon sesa nevojë do të ketë gjithnjë dhe më shumë bota, jo thjeshtë ne, për dijen dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Të gjitha burimet natyrore janë të kërcënuara sot nga rritja e popullsisë.

Është themelore që ne së bashku ti japim këtij universitet maksimumin për të përshpejtuar modernizimin, duke shfrytëzuar burimet njerëzore të universitetit, por edhe për të garantuar vazhdimësinë. Gjë që për të cilën ndihmon shumë edhe krijimi i partneriteteve të huaja”, tha Rama.


Shtuar 18.03.2022 12:10