Pse Kina nuk rrezikohet nga një rebelim i ngjashëm ushtarak me atë të Prigozhin në Rusi

Nga Charles Parton “Financal Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Çfarëdolloj gjëje po komplotonte në Rusi javën e kaluar që Yevgeny Prigozhin – kryengritje, luftë civile – niveli i rebelimit ushtarak që u pa nuk do të ishte kurrë i mundur në Kinë. Partia Komuniste Kineze ushtron një kontroll të rreptë mbi forcat e saj ushtarake.

Ushtria Çlirimtare Popullore (UÇP) është ushtri e partisë dhe jo një ushtri kombëtare.

Ideja se kushdo jashtë UÇP dhe Policisë së Armatosur Popullore mund të ketë të drejtën për të mbajtur armë është një tabu. Diçka e tillë daton që në vitin 1929, vetëm 2 vjet pas themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Ushtria i shërbente partisë dhe jo shtetit. Në Konferencën e famshme Gutiane, rezoluta “Për korrigjimin e ideve të gabuara në parti”, nënvizonte se Ushtria Çlirimtare Popullore nuk ishte vetëm një forcë ushtarake. Ajo kishte për detyrë edhe propagandën dhe vendosjen e pushtetit politik.

Mao Ce Duni e përsëriti këtë 9 vjet më vonë: “Parimi ynë është që partia komandon ushtrinë dhe kjo e fundit nuk duhet të lejohet kurrë të komandojë partinë”. Me fillimin e sundimit të Xi Jinping, disa intelektualë të njohur kishin filluar të përkrahnin depërtimin e frymës nacionaliste në ushtri, duke e shkëputur atë nga udhëheqja e partisë.

Por në rastin më të parë, Xi u sigurua që PKK të studionte rënien e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në një fjalim të madh mbi rënien e saj të mbajtur në vitin 2012, ai arriti në përfundimin se “në Bashkimin Sovjetik, ku ushtria u depolitizua, u nda nga partia dhe u nacionalizua, partia u çarmatos”.

Xi nuk donte asgjë nga këto. Në vitin 2013, menjëherë sapo mori pushtetin, ai urdhëroi një tjetër Konferencë të re të Gutianit, duke zgjedhur qëllimisht vendndodhjen dhe në kuadër të 85-vjetorit të Kongresit të 1929-ës. Në atë takim u theksua se ndërsa ideja e shtetëzimit të UÇP ishte bërë gjithnjë e më popullore, thirrje të tilla duhet të merrnin fund.

Sipas fjalëve të medias së PKK, kjo ide ishte “asfiksuar”. Siç e bëri të qartë “vendimi” i Konferencës Gutiane të vitit 2014, ushtria do të ishte “e vendosur në çdo kohë dhe në çdo rrethanë që t’i bindej urdhrave” të kryetarit Xi dhe të Komitetit Qendror të Partisë.

Reformat ushtarake të Xi-së, të renditura sipas prioritetit, ishin të përqëndruara në forcimin e angazhimit ideologjik ndaj partisë, rekrutimin dhe promovimin e njerëzve të duhur, luftën kundër korrupsionit, aftësinë në betejë dhe inovacionin politik.

Është e habitshme që aftësia për të zhvilluar luftëra renditet vetëm në vendin e katërt. Por kjo nuk është ndonjë befasi, duke pasur parasysh se Ushtria Çlirimtare Popullore është garantuesja fundore e mbajtjes së pushtetit nga PKK. Ndërkohë në Rusi, këtë rol e kanëluajtur tradicionalisht shërbimet e sigurisë së Vladimir Putinit, dhe jo ushtria ruse.

Në këtë rast ndikonte shumë hija e Kujtimeve të Tiananmenit në vitin 1989. Në atë kohë PKK ishte shumë pranë humbjes së pushtetit, dhe kjo jo vetëm sepse disa njësi ushtarake refuzuan të lëviznin kundër protestuesve. Ndërsa vazhduan reformat e 2015-ës në UÇP, Komisioni Qendror Ushtarak – që e drejton vetë Xi – u rindërtua me një personel, përvoja politike e të cilit e bëri të qartë se partia mbeti në mënyrë të vendosur në komandën e saj.

Dhe në nivelet më të poshtme, Xi ka zëvendësuar qindra drejtues të lartë me gjeneralë që mund t’u besojë. Ushtria ka luajtur rolin e saj në fushatën e re politike të këtij viti mbi “studimin dhe zbatimin e mendimit të Xi Jinping mbi socializmin me karakteristika kineze për një epokë të re”.

Për pasojë, ideja që një figurë si Prigozhin të udhëheqë një kryengritje kundër Partisë Komuniste Kineze është e paimagjinueshme. Në Kinë nuk ka gjasa që ushtria të tentojë  ndonjëherë ndonjë grusht shteti.

Partia është në ushtri, por edhe ushtria është në parti. Dy nga 24 anëtarët e Byrosë Politike janë gjeneralë, dhe rreth 1/5 e Komitetit Qendror vjen nga radhët e UÇP-së. Interesat e tyre janë të lidhura qëllimisht me ato të partisë. Nuk ka asnjë ndarje politike midis civilëve dhe ushtrisë.

Edhe në periudha kaotike, si për shembull gjatë Revolucionit Kulturor, Ushtria Çlirimtare Popullore, nuk ka vepruar kurrë kundër partisë. Ajo u pajtua kur Mao hoqi udhëheqësin e saj Lin Biao, ashtu siç bëri kur Deng Xiaoping dhe Xi mënjanuan gjeneralët kryesorë.

Nëse do të kishte një ndarje të thellë të lidershipit që do të çonte në një krize ekonomike, UÇP mund të rreshtohej me njërin apo tjetrin fraksion politik. Por aktualisht në Kinë ka vetëm një fraksion dhe ai është i Xi-së. Joe Biden i quan diktatorë si Vladimir Putinin po ashtu edhe Xi.

Por ndërsa i pari është qartazi një autokrat, Xi është i tillë për shkak të të qenit “bërthama” e Partisë Komuniste Kineze, e cila ka ende strukturat e pushtetit. Siç e përcakton kushtetuta e saj, Kina është një shtet “nën diktaturën demokratike të popullit”, që në realitet përkthehet si “nën diktaturën e partisë”. Kësisoj, nëse UÇP do të lëvizte ndonjëherë kundër Xi, ajo do të lëvizte vetëm kundër vetvetes.

Shënim:Charles Parton, ish-diplomat britanik i specializuar mbi Kinën. Ai tani është anëtar i Këshillit për Gjeostrategjinë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).


Shtuar 30.06.2023 09:55