Përballja në gjyq e Luftar Reçit me Emiljano Shullazin do të zhvillohet me dyer të mbyllura, SPAK: Rrezikohet dëshmitari

GJKKO ka vendosur që seancën për të pandehurit Emiljano Shullazit, Indrit Rusit, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Viktor Imeraj, të cilët do të përballen me të penduarin e drejtësisë Luftar Reçin, ta zhvillojnë me dyer të mbyllura.

Të pandehurit akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamaj.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se SPAK teksa argumentohet vendimi për mbajtjen e gjyqit me dyer të mbyllura, theksoi se cënohet siguria e dëshmitarit dhe dëshmitarëve të tjerë në proces.

Ndërkohë, avokati i Plarent Dervishaj tha se nuk ka arsye që të zhvillohet proces i mbyllur.

“S’ka asnjë arsye të zhvillohet proces i mbyllur. S’ka të dhëna sekrete, pasi dëshmia e Reçit është e rremë”, tha avokati. I kundërt ka qenë argumenti i avokatja e Shullzit, i cili ka qenë pro vendimit të GJKKO. “Procesi me dyer të mbyllura. Mjaft me publicitet!”, tha përfaqësuesja ligjore e Shullazit.

Më herët Luftar Reci kundërshtoi përballjen live me Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij. Vetë Reçi përmes një letre nga burgu, i ka kërkuar gjykatës të dëshmonte përmes “Skype”.

Po ashtu ai ka theksuar dërgimi i tij në gjykatë mund të jetë i rrezikshëm, teksa në dëshminë e tij ka thënë: “Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”

“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq. Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë. Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”, thuhej në deklaratën e Reçit./bw


Shtuar 20.03.2023 10:31