A është rikthyer zgjerimi në axhendën e Bashkimit Evropian?

Nga Craig Turp-Balazs “Emerging Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Furra e bukës në hotelin Park në vendpushimin malor slloven Bled, ka gatuar për më shumë se 70 vjet, kremna rezina-n e saj, një ëmbëlsirë shumë e njohur në vend. Më shumë se 10 milionë të tilla, u janë shërbyer vizitorëve në tarracën e hotelit, i famshëm për panoramën piktoreske që ofron buzë liqenit Bled, por edhe për ëmbëlsirat e parezistueshme të pasdites të shoqëruara me kafe.

Variantet e kremna rezina-s shërbehen në të gjithë ish-Jugosllavinë, por që të gjitha përmbajnë një dozë të mirë sheqeri pluhur që i hidhet përsipër. Pjesëmarrësve nga shtetet kandidate për në BE-së në Forumin Strategjik të Bled në fillim të kësaj jave, mund t’u falet që u larguan nga qyteti slloven, me idenë se presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kishte qenë po aq bujar me sasinë e “sheqerit” që hodhi mbi shpresat e tyre për anëtarësim në union.

“Që të jetë më i fortë dhe më i sigurt, Bashkimi Evropian duhet të përforcojë lidhjet tona dhe të bëhet më i fuqishëm. Prandaj tani ka ardhur koha të adresojmë sfidën e zgjerimit”- tha Michel para audiencës së tij, e cila përfshinte disa kryeministra nga vendet kandidate për në BE-së, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Serbisë Ana Brnabić.

Michel shtoi se vendet me një perspektivë të konfirmuar për t’u bërë një ditë pjesë e BE-së, duhet që të shihen tani e tutje si “shtete anëtare të ardhshme”. “Ka ardhur koha të zhdukim çdo lloj paqartësie. Është koha të përballemi me qartësi dhe ndershmëri me sfidat që kemi përballë.

Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor nisi më shumë se 20 vjet më parë. Një rajon në zemër të Evropës, i rrethuar nga vendet e unionit. Po ashtu, ka qenë një rajon që sapo kishte dalë nga konflikti pas shpërbërjes së Jugosllavisë”- tha ai.

Të dyja palët duhet të jenë gati deri në vitin 2030

Pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidate për të hyrë në BE: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina. Përjashtim bën Kosova. Ukraina dhe Moldavia u bënë kandidate në vitin 2022.

“I njëjti status do të jetë edhe për Gjeorgjinë kur të hidhen hapat e nevojshëm. Zgjerimi nuk është më një ëndërr. Është koha të ecim përpara”- tha Michel. Duke pranuar se ka ende “shumë punë për të bërë”, Michel nënvizoi se që BE të jetë “e besueshme”, duhej të ketë një axhendë dhe afat kohor të qartë për zgjerimin.

“Unë besoj se të dyja palët duhet të jemi gati deri në vitin 2030”- tha ai, duke theksuar nevojën që BE të rregullojë gjerat në shtëpinë e saj. Por presidenti francez Emmanuel Macron këmbëngul prej disa vitesh, se zgjerimi mund të ndodhë vetëm pasi BE-ja të ketë kryer vetë një reformim të brendshëm.

Duke folur në një mbledhje vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, menjëherë pasi Michel kishte mbajtur fjalimin e tij në Bled, Macron paralajmëroi:“Është e rrezikshme të mendohet se mund të zgjerohemi pa reforma. Unë them se për Evropën është shumë e vështirë të përparojë mbi tema të ndjeshme duke pasur 27 anëtarë. Dhe me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë”.

Po ashtu Macron përsëriti idenë e tij, të prezantuara për herë të parë në vitin 2019, për krijimin e një “Evrope me shumë shpejtësi”, në të cilën pjesë të ndryshme të Bashkimit Evropian duhet të integrohen në nivele dhe ritme të ndryshme, në varësi të situatës politike në secilin vend individual. Por kjo ide nuk ka arritur të gjejë shumë mbështetje në bllok, dhe veçanërisht në mesin e vendeve anëtare që janë ende në zhvillim, të cilat druhen se mos lihen pas dore nga Brukseli.

Zgjerimi do të mbetet i bazuar tek meritat

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë mbi zgjerimin në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në Granada të Spanjës në muajin tetor, ku Michel ka të ngjarë të propozojë hapjen e negociatave të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

Kryeministri slloven Robert Golob, që ishte një nga folësit në forumin e Bled-it, tha se përgatitjet e BE-së për anëtarësim “duhet të ndodhin ose në 12 muajt e ardhshëm, ose do të pezullohen për një kohë shumë të gjatë”.

Ky qëndrim përforcoi pikëpamjen e Michel se “dritarja e mundësive është e hapur, dhe ne duhet vetëm të veprojmë përmes saj”. Megjithatë, siç iu bë e qartë Ukrainës dhe Moldavisë vitin e kaluar, kur aplikimet e tyre pasuan me shpejtësi marrjen e statusit të kandidatit, zgjerimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar tek meritat, shtoi Michel, duke theksuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta dhe sundimit të ligjit.

“Bashkimi ynë është i bazuar tek vlerat themelore të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit, demokracisë dhe solidaritetit. Sundimi i ligjit garanton që ne të jetojmë, punojmë, krijojmë dhe tregtojmë në mënyrë të drejtë në një fushë të madhe lirish.

Në respekt të plotë të diversitetit tonë. Në Bashkimin Evropian, çdo qytetar, çdo kompani duhet të besojë se do të trajtohet në mënyrë të drejtë, kudo që jeton apo bën biznes. Kjo përfshin respektimin e të drejtave të pakicave”-tha presidenti i KE-së.

Ndërkohë Michel e bëri të qartë se dëshiron të shohë ndryshime në procedurat e pranimit të shteteve të reja, të cilat do ta bëjnë të pamundur që anëtarët më të rinj të bllokojnë hyrjen e vendeve të ardhshme anëtare. “Ne duhet të sigurohemi që të mos importohen në BE konfliktet e kaluara”- u shpreh ai, duke mos përmendur në mënyrë specifike Serbinë dhe Kosovën, por duke synuar gjithsesi që mesazhi i tij të dëgjohet në të dyja vendet.

Nga ana tjetër, kryeministrja serbe Brnabić, e cila u përplas në forum mbi statusin e Kosovës me kryeministrin kosovar Albin Kurti, tha në fjalën e saj se Bashkimi Evropian sillet shpesh sikur “çdo gjë që bën Ballkani Perëndimor nuk është mjaftueshëm e mirë”.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte skeptik për zgjerimin, duke thënë se ai “e vlerëson gjestin e caktimit të vitit 2030 si një objektiv konkret, ndërsa nga ana tjetër e pranoi se pranimi mund të “zvarritet edhe për shumë vite të tjera”. Prandaj për ta mbajtur të “ëmbël” Ballkanin Perëndimor, BE-së ka nevojë të përdorë më shumë “sheqer”. /albeu.com


Shtuar 31.08.2023 12:06