“Mbretëresha Elizabeth II është kolonizatore”, senatorja indigjene “sfidon” parlamentin Australian

Lidia Thorpe një indigjene e cila është zgjedhur si senatore në Parlamentin australian, është detyruar të betohet për herë të dytë, pasi herën e parë e quajti mbretëreshën Elizabeth II, kolonizatore.

Thorpe, një senatore e të Gjelbërve hyri në Parlament me grushtin e ngritur lart, çka është mesa duket një shenjë e përdorur si shenjë revolte nga njerëzit me ngjyrë.

Më pas ajo përsëriti me ironi betimin ku edhe bëri deklaratën për Mbretëreshën.

“Unë e zgjedhura, Lidia Thorpe, pohoj dhe deklaroj solemnisht dhe sinqerisht se do të jem besnik dhe mbaj besnikëri të vërtetë ndaj Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II kolonizuese”, tha ajo duke shkaktuar zhurmë në Senat.

Sue Lines, presidentja e senatit, i tha Thorpe se ajo duhet të betohej sipas tekstit origjinal pa shtuar dhe pakësuar asgjë.

Një senator ndërhyri duke u shprehur se nuk je një senator i vërtetë nëse betimi nuk bëhet ashtu siç duhet.

Më në fund Thorpe u dorëzua dhe bëri betimin siç duhet, duke u bërë kështu ligjërish senatore.

Kjo nuk është e para herë që Thorpe ndez debate, në qershor ajo shkaktoi zhurmë , duke thënë se ajo ishte në Parlament vetëm për të depërtuar në institucion.

“Unë u regjistrova për t’u bërë senator në projektin kolonial, dhe ky nuk ishte një vendim i lehtë për mua personalisht, dhe nuk ishte një vendim i lehtë as për familjen time që të më mbështeste në këtë. Megjithatë, ne kemi nevojë për zëra si ky për të vënë në dyshim pushtimin e paligjshëm të sistemit kolonial në këtë ven”, tha Thorpe gjatë një interviste.

Ajo tha se do të sakrifikonte “betimin për besnikëri ndaj kolonizatorit” për të hyrë në Parlament, në mënyrë që të mund të avokonte për popullin indigjen të Australisë.

Ashtu si lideri i të Gjelbërve, Adam Bandt, ajo refuzon të qëndrojë përpara flamurit australian, duke argumentuar se ai përfaqëson kolonizimin dhe është lëndues për australianët indigjenë që nuk identifikohen me të.

Thorpe u zgjodh për herë të parë në Asamblenë legjislative të shtetit Victorian në 2017 dhe kaloi në politikën federale në 2020, duke marrë vendin e Senatit të liruar nga Richard di Natale, ish-udhëheqësi i të Gjelbërve.