Vendi po tronditet nga krimi: Vrasje, atentate, mistere, emërime dhe shkarkime të rëndësishme, çfarë ka ndodhur në një javë

Java që po lëmë pas ka qenë një javë e ngarkuar me ngjarje kriminale, duke përfshirë vrasje, plagosje e atentate në disa qytete të vendit. Por jo vetëm kaq, shkak i këtyre ngjarjeve ka pasur dhe ndryshime në Policinë e Shtetit, duke filluar që nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, i cili u shkarkua. Gjithashtu një tjetër ngjarje që ka mbajtur peng të gjithë është zhdukja e të shumë kërkuarit Ervis Martinaj.

Albeu.com ju sjell më poshtë disa nga zhvillimet më të rëndësishme të kësaj jave

Vëllai vret vëllain dhe kunatën

Një krim brenda familjes ka tronditur pasditen e së martës kryeqytetin, ku vëllai ka vrarë me armë zjarri vëllain dhe kunatën. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ‘Myslym Shyrit’, në rrugën ‘Islam Alla’, pranë një agjencie udhëtimesh.

Viktimat janë identifikuar si Dritan Muskurti dhe Nora Muskurti, ndërsa autori i krimit të 2-fishtë është Arsen Muskurti i cili njihet dhe me emrin Hamza Kastrati.

Policia informon se dyshohet se si pasojë e një konflikti familjar, shtetasi Arsen Muskurti ka qëlluar me armë zjarri drejt vëllait të tij shtetasit Dritan Muskurti, 44 vjeç dhe bashkëshortes së tij Nora Muskurti të cilët si pasojë kanë ndërruar jetë.Autori i krimit të dyfishtë është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Vritet Ismet Çekorja në Shkodër

Të mërkurën, në Shkodër u vra më armë zjarri Ismet Çekorja, babai i 24-vjeçarit Bajram Çekorja, i cili dyshohet se është përfshirë në atentatin që iu bë Alban Bruçit më 25 gusht të këtij viti.

Alban Bruçi për momentin nuk është i dyshuar për vrasjen e 57-vjecarit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Bruçi pas shoqërimit u la i lirë për mungesë provash. Hetuesit janë përqendruar tek aktiviteti i mëparshëm i viktimës dhe i djalit të tij, Bajram Çekorja.

Plagosja në Dibër

Po të mërkurën, në Dibër, Besnik Selxhaferi, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Agron Delishi. Policia bën me dije se i plagosuri u transportua në spital, ndërsa autori është shoqëruar në komisariat. Ndërsa bashkëpunëtori i tij dhe është proceduar në gjendje të lirë një tjetër.

Atentati ndaj 2 policëve në Vlorë

2 punonjës policie kanë rënë pre e atentatit mbrëmjen e së premtes në Vlorë, teksa po lëviznin me makinën e tyre private. Njëri prej tyre, Anxhelo Breshani, ishte punonjës i Patrullës së Përgjithshme kurse tjetri, Nako Mehmetaj, punonjës i Policisë Kufitare. Për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk ka marrë plumba duke i shpëtuar të shtënave. Mësohet se dy punonjësit e policisë nuk ishin në shërbim gjatë momentit kur është qëlluar ndaj tyre. Dyshohet se shkak u bë një parakalim që policët i bënë autorit, megjithatë hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që atentati mund t’ju jetë bërë për shkak të detyrës.

Zhdukja e Ervis Martinajt

Zhdukja e të shumëkërkuarit nga policia Ervis Martinaj, mbart një mister të madh, pasi pistat në të cilat po hetohet sot janë të shumta, ku dy më kryesoret janë eliminimi i tij nga grupet rivale, ose një inskenim i mundshëm. Martinaj gjatë rrugëtimit të tij në biznes kishte bërë mjaft armiq të përbetuar, duke nisur nga klani Duka, Endrit Dokle, dhe një sërë emrash të tjerë të botës së krimit. Martinaj kishte bërë armiq të ashpër edhe në politikë dhe biznes.

Gazetari Arta Hoxha ka zbuluar se se kur Martinaj ndodhej në burg pas ngjarjes në bllok, në Shqipëri u tha se po krijohej një kompani e re me emrin “Bast Arena”.  Sipas Hoxhës kjo kompani synonte që të merrte nën kontroll tregun e lojërave të fatit.

Sipas gazetarit Hoxha, edhe pse Martinaj në atë kohë ndodhej në burg, tre aksionerëve të kompanisë së basteve iu dërgua një mesazh, ku ju kërkohej të hiqnin dorë, pasi dyshohej se ata ishin të interesuar që Martinaj të mbetej në qeli. Gazetari Hoxha theksoi se mes personazheve që ju mbërriti mesazhi i grupit të Martinajt është edhe një person i shpallur non-grata nga DASH. Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në lidhje me dëshminë e familjarëve të Martinajt në prokurori dhe polici, të cilët ishin shqetësuar pas humbjes së kontakteve. Ata janë shprehur se mes datës 7 deri në 9 gusht nuk kanë patur kontakte të Martinajt me familjarët. “Sipas dëshmisë së babait, ai ka thënë në polici se mendon se ngjarja e rëndë i ka ndodhur të birit mes orës 19:30 deri në orën 22:00 të mbrëmjes së datës 9 gusht”, tha ajo, ndërsa shtoi se polici Jeton Lami që e shoqëronte Martinajn është “çelësi” për zbardhjen e ngjarjes. Lala tha se Lami di gjithçka.

Shkarkim dhe emërime në nivele të larta

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, duke folur për mediat, njoftoi se Gledis Nano do të shkarkohet nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas Çuçit, Nano nuk ka përmbushur detyrat dhe shtoi se: “Tonin Vocaj përkohësisht do të ushtrojë detyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit”. Gjithashtu në të njëjtën ditë u shkarkua dhe Ardi Veliu si zv/ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës dhe u emërua drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Po ashtu, kreu i IKMT-së, Ajet Zyberaj, dha dorëheqje nga posti. Në vend të tij, në krye të IKMT-së do të jetë Dallëndyshe Bici, e cila u shkarkua dje si zv.ministre e Mbrojtjes. Ky është një rikthim i Dallëndyshe Bicit, pas largimit nga detyra në vitin 2021, e cila ndërkohë ka një dosje të hapur në Prokurori. Bici është nën hetim për shpërdorim detyre, për prishjen e ndërtimeve me leje.

Ballkani i Hapur në Beograd

Në Beograd, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, u zhvillua panairi ndërkombëtar “Ëine Vision Open Balkans”. Panairi i verës u hap më 1 shtator nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas, Dimitar Kovaçeski dhe përfundoi sot. Në panair morën pjesë rreth 400 prodhues të verës nga më shumë se 22 vende të ndryshme të botës. 160 prodhues ishin nga Serbia, 26 nga Shqipëria, ndërsa 47 ekspozues nga Maqedonia e Veriut.

Përveç vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur, kishte ekspozues edhe nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Rumania, Moldavia, Afrika e Jugut dhe vende të tjera.

Në Samit u nënshkruan marrëveshje për mekanizmat e sigurisë ushqimore dhe lirinë e tregtisë në Ballkanin Perëndimor.

1-Marrëveshja për sigurinë ushqimore midis Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. (Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e bujqësisë së vendeve përkatëse)

2-Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor. (Marrëveshja u nënshkruan nga ministrat e kulturës së vendeve respektive)

3-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë. (Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe Serbisë)

4-Plani ndër operativ në fushën e emergjencave civile mes Republikës së Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. (Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Zëvendës ministrit dhe kreut të Departamentit të Emergjencave, Serbi, Zëvendësdrejtorit të emergjencave civile të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile të Shqipërisë)./albeu.com


Shtuar 4.09.2022 13:15