U akuzua për pastrim parash, revoltohet Myslym Murrizi: Më akuzojnë hajdutët që u vijnë bananet me phuhur të bardhë nga Ekuadori

Ish-deputeti Myslim Murrizi mohon në mënyrë kategorike akuzat e ngritura ndaj tij nga krimi ekonomik për mosdeklarim të të ardhurave dhe pastrim parash.

Në një prononcim ekskluziv për Ora Neës, Murrizi thotë se me këtë pretendim është njohur përmes medias, ndërsa kujton se deri në shtator të vitit që lamë pas kur ka lënë mandatin e deputetit ai ka qenë objekt i deklarimit të pasurisë në ILDKPKI.

Murrizi: Nuk kam parë asnjë akuzë veç mediave dhe nuk ka asnjë dijeni. Njoftimin e kam marrë sot përmes mediave, nuk kam dijeni nga hajdutët e krimit ekonomik që helmuan dynjanë me Call Centera, këtyre që u vijnë bananet me pluhur të bardhë, këtyre që u vriten njerëzit mes Tiranës dhe mes Bllokut. Paskan pas kohë dhe nge nga 10 shtatori 2021 kur kam lënë mandatin  që të jenë marrë me pasuritë legale të miat që në kohën  që kam qenë deputet janë objekt i deklarimit të pasurisë në ILDKPKI. Shoh dy palë postime në media, një palë që thonë se kam pastruar 500-600 mijë euro, një palë thonë 60 mijë euro, tani ma ndani. Paratë e kujt kam pastruar, se këta shenjtanët i kanë incineratorët ku i pastrojnë paratë.

Teksa tregon me emra ata që sipas tij e kanë vjedhur shtetin në 30 vjet, Murrizi nuk kursen akuzat dhe ndaj kupolës së Policisë së Shtetit.

Murrizi: Po të mi japin këta që kanë vjedhur në 30 vite para, por sidomos në 20 vitetet e fundit nga Rama, Basha, Damiani, Beni, kush të ketë qejf ua pastroj unë por nuk besoj se më japin mua. Desha të njihem me materialin e këtyre fundërrinave, ish-sigurimsave që drejtojnë policinë nga Tonin Vocaj tek Rebani Jaupaj dhe çdo lloj llumi që drejton kupolën e policinë e shtetit, të më thonë për çfarë bëhet fjalë.

Ish-deputeti demokrat kujton se prej 30 vitesh është pjesë e politikës aktive dhe nuk është bërë pjesë e saj as si emigrant tulipanësh dhe as si gërryes kazanësh në Paris.

Murrizi: Kam 30 vite nga dhjetori 1990 që jam atje.Nuk është se kam pasur ndonjë migrim të dyshimtë. Kam pasur biznes legal dhe e kam prapë.Prej 13 vitesh jam 50% aksioner te firma “Murrizi 2009” me një kushëri timin ku administrator është kushëriri. Kam qenë 30% aksioner te “Justinian I” e mbylli qeveria në 2014, kam pasur televizion kabllor, të gjitha këto të regjistruara në Tatime dhe QKR. Kam deklaruar pasurinë që kam në ILDKPKI. Shpresoj me ndihmën e të madhit Zot ti dyfishoj gjatë viteve që vijnë. Nuk e di për çfarë bëhet fjalë.

I bindur se nuk ka asgjë për të fshehur, ai ka një ftesë të qartë për organet e hetimit.

Murrizi: E ftoj si prokurorinë e Tiranës apo ku e ka çuar ky Tonin sigurimsi, apo SPAK-un, të hetojnë. Mirë bëjnë që e fillojnë me mua, se nuk kam qenë në 30 vite as ministër, as zëvendësministër, as drejtor i përgjithshëm. Nuk kam firmosur asnjë lek nga paratë publike për prokurim dhe me bizneset e mia nuk kam marrë pjesë në asnjë tender publik. Por drejtësia të verifikojë çfarë i ka mbetur merak nga pasuria ime legale./Ora News