Mbeti e vrarë në sulmin me bombë, mbahet në Moskë funerali i Darya Dugina

Funerali për vdekjen e Darya Dugina, e cila u hodh në erë me një bombë në makinë, po mbahet në Moskë ditën e sotme.

Qindra njerëz u mblodhën në Moskë për funeralin e Darya Dugina, vajzës së vrarë të një prej ideologëve më të shquar nacionalistë të Rusisë.

Dugina, vajza e ultra-nacionalistit Alexander Dugin, u vra të shtunën në një sulm me makinë bombë jashtë Moskës.

Shërbimi rus i sigurisë FSB ka akuzuar agjencitë e inteligjencës ukrainase se kanë urdhëruar vrasjen e saj, diçka që Kievi e mohon, raporton The Guardian.

Politikanë të lartë, kolegë nacionalistë dhe miq kaluan para arkivolit të errët prej druri të Duginës në një sallë në qendrën televizive të Moskës të martën në mëngjes për të thënë lamtumirë, për të vendosur lule dhe për të përcjellë ngushëllimet e tyre për prindërit e saj që ishin ulur aty pranë.

Një fotografi e madhe bardh e zi e gruas së vdekur, 30 vjeçe, e cila punonte si gazetare dhe komentuese e mediave nacionaliste, ishte varur në një mur të zi pas arkivolit të saj ndërsa luhej muzikë e zymtë.

Babai i saj, Dugin, 60 vjeç, i cili prej vitesh ka mbrojtur krijimin e një perandorie të re ruse që do të merrte territorin e vendeve si Ukraina, u tha vajtuesve se vajza e tij kishte vdekur për Rusinë.

“Nëse vdekja e saj tragjike ka prekur dikë, ajo do t’i kishte kërkuar që të mbronin ortodoksinë e shenjtë ruse, popullin dhe Atdheun. Ajo vdiq për Rusinë, në atdheun dhe në vijën e frontit që nuk është në Ukrainë, por këtu”, tha ai./albeu.com/