Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit rol “absolutisht dërrmues” në valët e të nxehtit të korrikut

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit, kanë luajtur një rol “absolutisht dërrmues” në valët ekstreme të të nxehtit, që kanë përfshirë Amerikën e Veriut, Europën dhe Kinën këtë muaj, sipas një vlerësimi nga shkencëtarët.

Gjatë gjithë korrikut, moti ekstrem ka ndikuar të gjithë planetin, me temperaturat që thyen rekorde në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe Europën Jugore, duke shkaktuar zjarre në pyje, mungesë uji dhe një rritje të shtrimeve në spitale, të lidhura me nxehtësinë.

Gjatë fundjavës, mijëra turistë u evakuuan nga ishulli grek i Rodosit, për t’i shpëtuar zjarreve të shkaktuara nga një valë e nxehti rekord.

Pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, ngjarjet këtë muaj do të kishin qenë “jashtëzakonisht të rralla”, sipas një studimi nga World Weather Attribution, një ekip global shkencëtarësh, që shqyrton rolin e luajtur nga ndryshimet klimatike në mot ekstrem.

“Temperaturat në Europë dhe Amerikën e Veriut, do të ishin të pamundura, pa efektet e ndryshimeve klimatike,” tha Izidine Pinto nga Instituti Meteorologjik Mbretëror i Holandës, një nga autorët e studimit, gjatë një konference me gazetarët. “Në Kinë kishte rreth 50 herë më shumë gjasa të ndodhte, në krahasim me të kaluarën.”

Ekipi World Weather Attribution, vlerësoi se rritja e përqendrimeve të gazit serrë, e bëri valën e nxehtësisë në Europë në 2.5 Celsius më të nxehtë. Ata gjithashtu rritën valën e të nxehtit të Amerikës së Veriut me 2 gradë Celsius dhe atë në Kinë me 1 gradë Celsius.

Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, nxehtësia ka shkaktuar dëme në shkallë të gjerë të të korrave dhe humbje të bagëtive, thanë shkencëtarët, me të mbjellat e misrit dhe sojës në SHBA, bagëtinë meksikane, ullinjtë e Europës Jugore si dhe pambukun kinez, të prekur rëndë.

El Nino ndoshta ka kontribuar në nxehtësinë shtesë në disa rajone, por rritja e gazeve serrë ishte faktori kryesor, thanë shkencëtarët, dhe valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të mundshme nëse emetimet nuk ulen.

Ata vlerësuan se periudha të zgjatura të nxehtësisë ekstreme, ka të ngjarë të godasin çdo dy deri në pesë vjet, nëse temperaturat mesatare globale rriten 2 gradë Celcius mbi nivelet para-industriale. Temperaturat mesatare aktualisht vlerësohet të jenë rritur më shumë se 1.1C.

“Ngjarjet që kemi parë, nuk janë të rralla në klimën e sotme,” tha Friederike Otto, shkencëtare në Institutin Grantham për Ndryshimet Klimatike në Londër. “Nuk është për t’u habitur nga pikëpamja klimatike, që këto ngjarje po ndodhin në të njëjtën kohë.

“Për sa kohë, që ne vazhdojmë të djegim lëndë djegëse fosile, do të shohim gjithnjë e më shumë nga këto ekstreme,” tha ajo. “Unë nuk mendoj se ka ndonjë provë më të fortë, që ndonjë shkencë ka paraqitur ndonjëherë, për një pyetje shkencore.” / Reuters