Vjosa Osmani sot në Bruksel, pritet nga shefi i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret më 7 shtator në Bruksel presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Temë kryesore e takimit pritet të jetë situata e sigurisë në Kosovë, veçmas në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe. Po ashtu, Osmani dhe Stoltenberg pritet të bisedojnë për angazhimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Në selinë e NATO-s, Osmani do të ketë edhe takime të tjera, përfshirë me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer. E para e shtetit po ashtu do të takohet me shefen e misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith dhe me përfaqësues të shteteve të tjera anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.

Që kur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Aleanca po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.

Pas rritjes së tensioneve, NATO-ja rriti edhe numrin e ushtarëve të KFOR-it. Stoltenberg në të kaluarën disa herë ka deklaruar se aleanca ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.

Kosova, ndërkaq, ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e aleancës.

Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve në Aleancë. Në NATO, katër nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

Në një debat të enjten para Parlamentit Evropian, Stoltenberg ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milionë evropianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-së. Kur Suedia të bëhet anëtare e aleancës, 96 për qind e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO”, tha ai, duke nënvizuar rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s dhe BE-së.