Pesë arsyet pse kriza energjetike globale do të thellohet më tej

Nga Daniel Yergin “Project Syndicate”

A është kriza e sotme energjetike, po aq serioze sa ato të mëparshmet të ngjashme me të, veçanërisht me krizën e çmimeve të naftës së viteve 1970? Kjo pyetje po ngrihet në mbarë botën, teksa konsumatorët po dëmtohen seriozisht nga çmimet e larta, bizneset janë të shqetësuara për furnizimet me energji, udhëheqësit politikë dhe bankierët qendrorë po përballen me inflacionin, dhe kur vendet po ndeshen me presionet e bilancit të pagesave.

Po, kjo krizë energjetike është po aq serioze. Madje kriza e sotme, është potencialisht më e rëndë. Në vitet 1970 ishte vetëm nafta, ndërsa kriza aktuale përfshin gazin natyror, qymyrin, madje edhe energjinë bërthamore.

Përveç nxitjes së inflacionit , kriza e sotme po transformon një treg deri dje global, në një treg që është tashmë i fragmentuar dhe më i prekshëm ndaj goditjeve, duke e reduktuar rritjen ekonomike. Dhe së bashku me krizën gjeopolitike që buron nga lufta në Ukrainë, ajo po e thellon më tej rivalitetet midis fuqive të mëdha të botës, raporton abcnews.al.

Kriza aktuale energjetike nuk nisi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por që vitin e kaluar kur kërkesa për energji u rrit, ndërsa bota po dilte nga pandemia e Covid-19. Në atë moment Kina kishte mungesë të qymyrit, dhe çmimet u rritën. Më pas kjo dukuri përfshiu edhe tregun global të gazit natyror të lëngshëm (LNG), dhe bashkë me të edhe çmimet e naftës.

Në kushte normale, me rritjen e çmimeve të energjisë, një vend si Rusia do të kishte rritur shitjet e gazit natyror për konsumatorin kryesor, Evropën, mbi vëllimet minimale të kontraktuara zyrtarisht. Ndërkohë, ajo iu përmbajt vetëm kontratave, edhe pse mund të kishte prodhuar shumë më tepër.

Në atë kohë, u duk sikur Rusia po përpiqej të impononte rritjen e çmimeve. Por në vend të kësaj, Kremlini mund të ketë qenë duke u përgatitur për luftë. Për shkak se Evropa varej nga Rusia për 35-40 për qind të naftës dhe gazit të saj natyror, Putin supozoi se evropianët do të protestonin kundër pushtimit, por në fund do të qëndronin mënjanë.

I fiksuar në misionin e tij të vetë-caktuar për të rikrijuar atë që ai e sheh si perandori historike të Rusisë, Putin nuk e parashikoi se si do të reagonin evropianët ndaj një lufte të paprovokuar në vendin fqinj. Duke parë përpara, gjykoj se 5 faktorë mund ta përkeqësojnë më tej krizën e sotme energjitike.

Së pari, Putin ka hapur një front të dytë lufte në këtë konflikt, duke reduktuar vëllimet e kontraktuara të gazit natyror që Rusia i dërgonte Evropës. Synimi i Moskës është që evropianët të mos kenë mundësi të krijojnë rezerva të mjaftueshme për dimrin e ardhshëm, dhe nga ana tjetër të rritë çmimet, për të krijuar vështirësi ekonomike dhe kriza politike në Evropë.

Në fjalimin e tij të mbajtur në qershor në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, Putin e bëri shumë të qartë këtë:”Problemet sociale dhe ekonomike që do përkeqësohen në Evropë, do t’i përçajnë shoqëritë e tyre, dhe do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në populizëm … dhe shumë shpejt në një ndryshim të elitave të tyre drejtuese”.

Gjermania po parashikon tani nevojën e racionimit të gazit, dhe Ministri për Çështjet Ekonomike, Robert Habeck, paralajmëron një “krizë të stilit Lehman” (duke iu referuar krizës financiare të vitit 2008), në rast se Evropa nuk do të mundë të menaxhojë krizën aktuale të shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimeve me energji.

Së dyti, një marrëveshje e re apo një ripërtëritje e pakti të vjetër bërthamor me Iranin, nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti. Kësisoj, nuk do të hiqen sanksionet ndaj Teheranit, dhe kjo do të thotë se nafta iraniane nuk do të nisë të qarkullojë së shpejti në tregjet botërore.

Së treti, edhe pse Arabia Saudite mund të rrisë prodhimin e saj të naftës për të ndihmuar në “stabilizimin” e tregjeve të naftës, gjë që është synimi i vizitës së ardhshme të presidentit të SHBA, Joe Biden, në Riad, nuk ka gjasa që kjo lëvizje të shmangë krizën, pasi gjithsesi nuk duket të ketë një sasi të madhe nafte shtesë. Ndërkohë, shumë vende të tjera eksportuese të naftës, nuk mund të rikthehen dot as në nivelet e mëparshme të prodhimit, për shkak të mungesës së investimeve dhe të mirëmbajtjes që nga nisja e pandemisë.

Së katërti, kërkesa e Kinës për naftë është ulur ndjeshëm për shkak të bllokimeve të saj në kuadër të politikes “zero-COVID”, të cilat e kanë kufizuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik. Por nëse Pekini heq shumicën e kufizimeve, do të pasojë një rritje e madhe e konsumit dhe e kërkesës për naftë.

Së fundmi, sado i shtërnguar që është tregu i naftës bruto, ka edhe më shumë presion në sektorin e rafinimit që prodhon benzinën, naftën dhe karburantin për avionët. Ky sektor është zhvilluar në një sistem kompleks, shumë të ndërlidhur në mbarë botën, raporton abcnews.al.

Para luftës, Rusia përpunonte produktet që dërgonte në Evropë, ndërsa Evropa e dërgonte benzinën që nuk i nevojitej në Bregun Lindor të SHBA-së, e kështu me radhë. Në disa vende, sistemi po funksionon plotësisht. Rafineritë amerikane po operojnë tashmë me një kapacitet rreth 95 për qind .

Por në përgjithësi, sistemi nuk ka ende mundësi që ta përballojë gjithë kërkesën. Rafineritë ruse funksionojnë vetëm pjesërisht , duke e privuar Evropën nga produktet e naftës. Rafineritë kineze operojnë me më pak se 70 për qind të kapacitetit të tyre. Rreth 4 milionë fuçi në ditë të kapacitetit të rafinimit janë mbyllur në mbarë botën, për shkak të pandemisë, rregulloreve të reja dhe sfidave ekonomike.

Shtojini këtyre rrezikun e aksidenteve, politikave të këqija dhe një uragani që mund të nxjerrë jashtë funksionit rafineritë në Bregun Lindor, dhe situata mund të përkeqësohet akoma më shumë. Thënë këtë, disa vende mund ta rrisin ende prodhimin.

Kanadaja – prodhuesja e katërt më e madhe e naftës në botë, pas SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Rusisë – mund të sigurojë fuçi shtesë në bashkëpunim me tregun e saj kryesor, SHBA-në.

Dhe prodhimi i naftës së shistit argjilor në SHBA, mund të shtojë 800.000 deri në 1 milion fuçi në ditë prodhim të ri këtë vit, shumë më tepër prodhim shtesë se pjesa tjetër e botës e marrë së bashku.

Tek faktorët e tjerë që mund të zbusin krizën, përfshihen ndryshimet e çmimeve, dhe mënyra se si do të reagojnë konsumatorët. Në maj, kërkesa për benzinë ​​në SHBA ishte 7 për qind më pak se sa në maj 2019, pra përpara pandemisë. Por disa prej tyre, mund të jenë rezultat i më shumë njerëzve që po punojnë tashmë nga shtëpia.

Nga ana tjetër, një ngadalësim i rritjes ekonomike mund të ulë çmimet. Indeksi më i fundit i “S&P”, flet për një dobësim të rritjes ekonomike në SHBA, e ngjashme me kulmin e bllokimit gjatë pandemisë, dhe atë të krizës financiare të vitit 2008.

Po kështu, rritja ekonomike evropiane është ngadalësuar ndjeshëm, në nivelin më të ulët në 16 muajt e fundit. Ngadalësime të tilla mund ta reduktojnë kërkesën, dhe bashkë më të edhe çmimet e energjisë. Por ndërkohë, ato do të vendosin jo pak nën presion aleancën perëndimore dhe unitetin popullor në mbështetje të Ukrainës.

Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë shumë domethënës. Ato do të tregojnë nëse Evropa do të ketë mundësi të manovrojë, dhe t’ia dalë pa shumë probleme dimrit të ardhshëm. Në atë që Habeck e quajti një vendim “të hidhur por të domosdoshëm”, Evropës do t’i duhet të djegë më shumë qymyr. Në muajt e vështirë që na presin në vijim, duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë midis qeverisë dhe industrisë që menaxhon flukset e energjisë, dhe nga e cila varen ekonomitë moderne.

Shënim: Daniel Yergin, zëvendëskryetar i kompanisë “S&P Global”./abcnews.al