Mjeku Alimehmeti jep lajmin e mirë: Imuniteti natyror mbron trupin nga riinfektimi dhe variantet e Covid-19

Mjeku Ilir Alimehmeti është shprehur imuniteti natyror e mbron trupin nga riinfektimi dhe variantet e reja Covid.

Alimehmeti është shprehur optimist për rezultatet e studimeve të fundit në lidhje me efektivitetin e  imunitetit natyror për t’u mbrojtur nga riinfektimi ndaj Covid-19.

Komentet ai i bëri përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se pas disa studimeve të Universitetit Cornell në Katar në bashkëpunim me OBSH-në rezultoi se efektiviteti i imunitetit natyror ndaj reinfektimeve të rënda ishte i pavarur nga varianti i virusit me të cilin personat ishin infektuar për herë të parë apo me të cilin ishin reinfektuar.

Postimi i plotë:

Lajme të mira mbi imunitetin natyror miqtë e mi!

Natyrës nuk i ka mbetur hatri, edhe pse diskutimi publik mbi imunitetin natyror pas kalimit të COVID-19 është vendosur në plan të dytë nga axhendat politike dhe ekonomike botërore!

Natyra vazhdon bën punën e saj me modesti dhe efektivitet!

Katari gjatë të gjithë periudhës së pandemisë ka prodhuar vazhdimisht kërkim shkencor elitar dhe ka ofruar evidenca të pakundërshtueshme mbi efektivitetin e imunitetit natyror!

Disa prej këtyre evidencave i kemi reflektuar edhe bashkë më 19 janar dhe 31 mars 2021.

Megjithatë deri atëherë kishin kaluar vetëm pak muaj studim dhe variantet Delta dhe Omicron ende nuk ishin shfaqur.

Më datë 07 korrik 2022, Universiteti Cornell (Katar), në bashkëpunim me institucione të tjera zyrtare të Katarit dhe me OBSH prepublikuan të dhënat e përditësuara mbi imunitetin natyror pas COVID-19.

Në detaj, u kryen tri studime kombëtare kohore për të krahasuar incidencën e infeksionit SARS-CoV-2 dhe të formave të rënda të COVID-19 ndërmjet:

personave të pavaksinuar me infeksion të dokumentuar nga SARS-CoV-2,

personave të pavaksinuar të painfektuar më parë.

Rezultatet ishin sa të pritshme aq edhe pozitive!

97.3% ishte efektiviteti i infektimit të mëparshëm për të mbrojtur nga reinfektimi i rëndë, kritik ose fatal.

Efektivitet i imunitetit natyror ndaj reinfektimeve të rënda ishte i pavarur nga varianti i virusit me të cilin personat ishin infektuar për herë të parë apo me të cilin ishin reinfektuar.

Efektiviteti i imunitetit natyror ndaj reinfektimeve të rënda nuk shfaqte asnjë shenjë zbehje apo rënie të tij.

Rezultatet e ndara sipas tri studimeve të ndryshme:

Studimi i reinfektimi pre-Omicron (infektim i parë dhe reinfektim me variante përpara Omicron):

98.0% efektiviteti i infektimit të mëparshëm për të mbrojtur nga reinfektimi i rëndë, kritik ose fatal.

Në moshat ≥50 vjeç, ky efektivitet rezultoi 90.7%.

Studimi i reinfektimit Omicron (infektim i parë me variante të mëparshme – reinfektim me Omicron)

88.6% efektiviteti i infektimit të mëparshëm për të mbrojtur nga reinfektimi i rëndë, kritik ose fatal nga Omicron.

Në moshat ≥50 vjeç, ky efektivitet rezultoi 84.6%.

Studimi i formës së rëndë të reinfektimit nga COVID-19 (pavarësisht nga varianti i infektimit të parë apo të dytë)

97.3% efektiviteti i infektimit të mëparshëm për të mbrojtur nga reinfektimi i rëndë, kritik ose fatal

Në moshat ≥50 vjeç, ky efektivitet rezultoi 95.4%.

Luhatja muaj pas muaji pas infektimit të parë ishte e neglizhueshme PA SHENJA TË RËNIES SË MBROJTJES! (Figura 3C)

EFEKTIVITETI ISHTE ~100% DERI NË 14 MUAJ PAS INFEKTIMIT TË PARË!

Përfundimi i autorëve:

Pavarësisht nga zbehja e mbrojtjes kundër infektimit nga SARS-CoV-2, në mënyrë mbresëlënëse nuk rezultoi asnjë evidencë për zbehjen e mbrojtjes kundër reinfektimit të rëndë COVID-19.

Mbrojtja nga format e rënda mbeti ~100% edhe 14 muaj pas infektimit të parë pa asnjë efekt të matshëm që të tregonte se aftësi të Omicron-it për të shmangur imunitetin.

Pra, miqtë e mi, besojini Natyrës, pasi ajo vazhdon funksionon, madje më mirë dhe më gjatë se çdo vaksinë e prodhuar deri më sot!

Kujdes: nëse nuk e keni kaluar asnjëherë sëmundjen, rekomandohet fort imunizimi përmes vaksinës.