Pse Perëndimi nuk e lejon Ukrainën të fitojë kundër Rusisë?

Nga John Bolton “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të dhënat më të fundit nga shërbimet sekrete, sipas të cilave një “grupim pro-ukrainas” sulmoi dhe shkatërroi tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream” në shtatorin e vitit të kaluar, shkaktoi habi në radhët e shumë politikanëve në Evropë. Të nxitur nga kriza e mundshme ekonomike, pati spekulime se përfshirja e Ukrainës, direkte apo indirekte në atë ngjarje, do ta zvogëlonte mbështetjen për rezistencën e Kievit ndaj pushtimit rus që ka nisur vitin e kaluar në shkallë të gjerë.

Ukraina mohoi çdo lloj përgjegjësie mbi atë sulm. Autoritetet gjermane mendojnë se ai mund të ketë qenë një operacion “më flamur të rremë” nga ana e Kremlinit, që synonte të hidhte dyshime mbi Kievin. Por edhe nëse Ukraina e ka organizuar sulmin, pse ndërprerja e suksesshme e punës së “Nord Stream” do të rrezikonte ndihmën e huaj ndaj saj?

Një reagim i tillë potencialisht i dëmshëm, nxjerr në pah një problem edhe më të madh, i cili është shfaqur vazhdimisht që nga agresioni i paprovokuar i Rusisë. NATO është trembur nga kërcënimet e Moskës për “përshkallëzimin” e konfliktit nëse Ukraina nuk mbahet nën kontroll në veprimet e saj.

Megjithëse presidenti amerikane Joe Biden dështoi ta pengonte sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin e ka penguar me mjeshtëri NATO-n të reagojë mjaftueshëm fuqishëm për t’i dhënë menjëherë fund konfliktit dhe me fitoren e Ukrainës. Dhe tani koha për të zgjidhur këtë problem po mbaron.

Kërcënimet ndaj stabilitetit global dhe SHBA-së janë në rritje. Si do të përfundojë lufta në Ukrainë? A mund të zhvillojnë Kina dhe SHBA një marrëdhënie më pak luftarake midis tyre?

Frikësimi i suksesshëm i Moskës vetëm sa e nënvizon dështimin e Uashingtonit për të shpallur objektiva të qarta në këtë luftë dhe për të hartuar një strategji për t’i arritur ato.

Biden dëshiron që Rusia “të humbasë”, por duket se ka frikë se mos “fiton” Ukraina. Nëse ai beson tek qëndrimi zyrtar i Amerikës – rivendosja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës – ai duhet ta ripohojë atë publikisht dhe të hartojë një plan për ta arritur këtë.

Nëse jo, duhet të thotë të kundërtën. Vetëm atëherë mund të kishim të paktën një debat të kuptueshëm. Sepse deri më sot qëllimet e paqarta dhe frika nga përshkallëzimi rus kanë çuar në ngërçin ushtarak aktual. Pak kohë para pushtimit rus të Ukrainës, Biden e përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake amerikane, pa pasur ndonjë përgjigje reciproke të Kremlinit.

Ditë më vonë, ai tha se “askush nuk priste që sanksionet ta parandalonin ndodhjen e sulmit”.

Në majin e vitit 2022, Sekretari i tij i Mbrojtjes dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare u kërkuan homologëve të tyre rusë të merrnin në konsideratë firmosjen e një armëpushimi, duke sinjalizuar kësisoj dobësinë e Uashingtonit.

Mungesa e një plani për frenimin e Rusisë dhe e një strategjie të NATO-s, tregohen më tej nga debatet e brendshme të NATO-s rreth llojit të armëve që duhet të dërgojë në Ukrainën, qoftë MiG-ët polakë, artilerinë raketore Himars, tanket “Abrams”, predhat e sistemit ATACMS apo avionët luftarakë F-16.

Mosmarrëveshje të tilla mbi armatimin flasin për një strategji të fragmentuar, e cila çon në konfuzion (ose më keq akoma) në fushën e betejës. Dhe dihet se nga një ngërç i zgjatur ushtarak mund të përfitojë vetëm nga agresor shumë më i madh, pra Rusia, e ndihmuar nga Kina dhe të tjerët, pasi Perëndimi po ndihmon Ukrainën.

Pjesa më e madhe e mosmarrëveshjeve brenda NATO-s mbi armët, ka të bëjë me këmbënguljen e Uashingtonit që Kievi të mos sulmojë objektivat brenda Rusisë apo edhe Krimesë, pavarësisht nga njohja e Krimesë nga SHBA-ja si territor sovran ukrainas.

Sipas këtij arsyetimi të çuditshëm, NATO i bën presion Ukrainës që të mos godasë brenda Rusisë dhe të kursejë asetet kryesore si “Nord Stream”, ndërsa Kremlini mund të godasë kudo brenda Ukrainës. Duke kujtuar tërheqjen katastrofike të Amerikës nga Afganistani, analistët mund të arrijnë në përfundimin se Uashingtoni ose e ka humbur toruan ose është i interesuar të shmangë presionin e madh ushtarak ndaj Moskës.

Frenimi i Rusisë funksionon. Sot, politika e Shtëpisë së Bardhë bazohet në thelb në moton: Ne e mbështesim mbrojtjen e Ukrainës, por jo aq sa për të qenë shumë efektive. Por kjo formulë për luftë të zgjatur dhe jopërfundimtare injoron rreziqet, si për Amerikën po ashtu edhe për Ukrainën. Sepse furnizimet me municione nga SHBA po mbarohen, dhe kapaciteti ynë aktual për t’i rimbushur është i pamjaftueshëm, duke pasqyruar shqetësimet për zëvendësimin e flotës sonë të vjetër të nëndetëseve me energji bërthamore, teksa po e furnizojmë me to Australinë sipas marrëveshjes AUKUS.

Edhe pse është më mirë që t’i përjetojmë këto probleme tani, përpara se të jetë e rrezikuar vetë Amerika, mungesat në rezervat ushtarake të SHBA-së i japin të drejtë izolacionistëve që nuk duan ta ndihmojnë Ukrainën. Një gjë është e qartë: Frika nga përshkallëzimi rus është e pajustifikuar.

Të dhënat tona mbi Rusinë e paraluftës e mbivlerësuan shumë aftësitë ruse të armëve luftarake, dhe muajt që kaluan tregojnë se këto aftësi po pakësohen vazhdimisht. E ku është ushtria ruse e fshehur që kërcënon NATO-n? Nëse ekziston, pse nuk është përdorur në Ukrainë?

Kërcënimi bërthamor nga Putin e ka frenuar NATO-n, por pa ndonjë arsye të fortë. Deri më sot kërcënimet e Moskës kanë qenë bllofe. Vetëm në rrethanat më ekstreme – një kolapsi total i ushtrisë ruse, ose i vetë regjimi të Putinit – do të ishte realisht një opsion përdorimi i armëve bërthamore.

Prandaj, ne duhet të fokusohemi në frenimin e Putinit në ato skenarë, përfshirë kërcënimin e  rrëzimit të tij, në vend se të lejojmë të na pengojë bllofi i tij. Administrata Biden mund të mos e synojë këtë, por dyshimi dhe hezitimi i saj po pengojnë luftën e Ukrainës për pavarësi dhe po favorizojnë argumentet e atyre që kundërshtojnë plotësisht ndihmën e SHBA-së.

Prandaj ne duhet të shpallim sa më parë dhe në mënyrë të qartë objektivat tona në këtë luftë. Dështimi për ta bërë këtë i ekspozon mbështetësit e Ukrainës ndaj pretendimeve se ata po i japin Kievit një “çek të bardhë” apo që ne jemi në një “luftë të pafundme” (pas 13 muajsh dhe pa viktima në SHBA). Ndërsa ky është një problem politik i brendshëm, ai pasqyron gjithashtu edhe dështimet e lidershipit të sigurisë kombëtare. Zoti Biden duhet të reagojë sa më parë.

Shënim:John Bolton shërbeu si këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare në vitet 2018-2019, dhe si ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara në vitet 2005-2006.


Shtuar 17.03.2023 11:14