Industria automotive, rritje në mes të krizës

Zyrtarisht, bota është në mes të një krize, ku kulmi mbetet i paqartë për shkak të zhvillimeve dinamike dhe të paqëndrueshme. Pas një pandemie që i la tregjet të çoroditur dhe luftën Rusi-Ukrainë që dyfishoi efektin negativ në çdo drejtim, qeveritë, bizneset dhe qytetarët po përballen me sfida reale.

Në mes të krizës, ashtu sikurse ka probleme, shfaqen edhe mundësi. Për industrinë automotive në Shqipëri duket se ka ndodhur pikërisht kjo.

Kompanitë e industrisë automotive që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, konfirmojnë se viti 2022 ka shënuar rritje në prodhim, në raport me vitin paraardhës.

Ndikim në këtë drejtim duket se ka dhënë lufta Rusi-Ukrainë, ku grupe të caktuara kanë riorganizuar prodhimin, duke bërë zhvendosjen nga grupet nga njëri rajon në tjetrin.

Shifrat zyrtare të tregtisë së jashtme për 9-mujorin tregojnë se eksportet e periudhës janar-shtator 2022 për grupin “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku përfshihen edhe produktet e fabrikave në fjalë, ishin rreth 238 milionë euro, thuajse njësoj sa shifra e eksporteve të këtij grupi për gjithë vitin 2021.

Nëse e bëjmë krahasimin me periudha 9-mujore, atëherë janar-shtatori i këtij viti ka shënuar rritje me 37.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kompanitë raportojnë për rritje të prodhimit gjatë vitit 2022, ku pavarësisht situatës së përgjithshme në tregjet globale, kërkesa nuk ka ndryshuar.

“Ecuria e Delmon Group Albania është ndikuar nga efektet negative të krizës së re. Për fat, kërkesa, dhe rrjedhimisht shitjet tona në vitin 2022, kanë qenë në rritje, në nivelin e buxhetuar në fillim të vitit.

Kjo sepse kërkesa në sektorin automotiv nuk pati rënie domethënëse, por edhe për shkak të dinamikave brenda grupit tonë, ku për disa produkte të tjera, prodhimi u transferua në Shqipëri”, – pohon Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group Shqipëri.

Në kushtet kur lufta vijon, duke ushtruar tensione mbi tregje, asgjë nuk është e sigurt mbi të ardhmen, por kompanitë kanë vendosur të tregohen optimiste. Forschner Albania nënvizon se klientët kanë parashikuar rritje të porosive dhe kjo do të thotë më shumë të ardhura.

“Për aq kohë sa konflikti Ukrainë-Rusi do të vazhdojë, situata ka pak gjasa të përmirësohet.

Gjithsesi, e ardhmja shihet pozitivisht sa i përket prodhimit në Shqipëri, për shkak se klientët kanë parashikuar rritje të porosive, e cila përkthehet në më shumë vende pune, më shumë të ardhura për kompaninë”, – nënvizon Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania.

Kompanitë vijojnë me planet e zgjerimit me fabrika të reja

Kompanitë e industrisë automotive në vendin tonë, në një pjesë të madhe janë ende në fazat e zgjerimit, duke respektuar planet e biznesit që shtrihen në disa faza.

Kriza e post-pandemisë, por edhe situata me luftën dhe kostot në rritje, nuk i kanë frenuar ato të vijojnë me këto plane. Mario Scarfalloto, menaxher i SEWS Cabind Albania, pohon se viti 2022 shënoi hapjen e fabrikës së dytë, ku vijoi instalimi i linjave të reja të prodhimit dhe kjo pritet të vazhdojë.

“Në janar filluam të punonim për finalizimin e fabrikës së dytë dhe nisëm prodhimin me disa linja të automjeteve industriale. Falë rritjes së produkteve të prodhuara për klientin tonë, Stellantis, në tetor arritëm të përdornim rreth 80% të së gjithë hapësirës së disponueshme.

Megjithatë, 2022 ende nuk është mbyllur ndaj po ecim para me përfundimin e hapësirës së mbetur, duke futur disa linja të IVECO-s. Të gjithë këta hapa kanë nxitur rritje të vazhdueshme pozitive të kompanisë si për sa i përket prodhimit, edhe njerëzve.

Sot jemi më shumë se 1200 persona staf, direkt dhe indirekt, në dy impiante të ndryshme dhe pa dyshim synojmë të zgjerohemi. Në vitin fiskal 2023 kemi planifikuar hapjen e një fabrike të tretë, që tashmë është në ndërtim dhe do të krijojë vende pune për 1000 persona të tjerë.” nënvizon ai.

Edhe Forschner Albania ka në planet e saj një tjetër fabrikë në zonën e Kasharit, duke synuar rritjen e prodhimit për klientët e saj. Për vitin 2023, kompania parashikon që të rrisë prodhimin me të paktën 30% në raport me vitin 2022.

Largimi i punonjësve, kompanitë me masa konkrete

Kompanitë e industrisë automotive janë në grupin e atyre që e konsiderojnë largimin e punonjësve si një kambanë alarmi. Duke pasur një numër të madh punonjësish që varion mes qindrash dhe mbi një mijë, është e lehtë të krijosh idenë e tendencës së largimit të krahut të punës.

Z. Yagmur nënvizon se një nga arsyet që kompania vendosi shumë vite më parë të investonte në Shqipëri ishte pikërisht potenciali i fuqisë punëtore. Por largimi i saj tashmë është bërë shqetësim real për të gjithë e në këtë situatë, kompania ka vendosur të mos qëndrojë duarkryq.

“Masat e marra që mendojmë se do të kenë efekt pozitiv janë: planifikimi në buxhetin e vitit 2023 për rritjen e pagave të të gjitha kategorive në sektorin e prodhimit direkt dhe indirekt; rritja e fokusit në promovimin e punonjësve me përvojë dhe produktivë; zgjerimi i fashës së sistemit bonus në mënyrë që të përfshihen një numër më i madh punonjësish; trajnime të brendshme, si dhe trajnime në kompanitë tona simotra në vende të BE-së”, nënvizon z. Yagmur.

Edhe për z.Scarfalloto emigrimi është një problem real dhe shihet qartë nga kompanitë që kanë numër të lartë punonjësish.

“Sot SEWS CA punëson me krenari më shumë se 1000 njerëz. Të jeni të sigurt, kjo kërkon shumë përpjekje dhe burime, pasi situata në Shqipëri, për sa u përket njerëzve, është shumë kritike; vetëm duke lexuar gazetat lokale dhe duke folur me banorët vendas, është shumë e qartë se njerëzit po largohen nga vendi.

Nëse ky trend vazhdon, do të arrijmë në një pikë kritike ku nuk do të ketë burime njerëzore të mjaftueshme për të mbështetur të gjitha kompanitë e vendosura në vend. Shpresojmë që lajmet e fundit se Shqipëria është një vend kandidat për t’u bërë anëtare e BE-së, të mund të sjellin një status tjetër socio- ekonomik dhe t’i bindë njerëzit të qëndrojnë dhe të mbështesin zhvillimin e vendit të tyre të origjinës” thekson ai.

Kompanitë konfirmojnë se në fazën e parë, mungesa u vu re te punonjësit e kualifikuar ku ishte e vështirë të gjeje disa profesionistë, ndërkohë që tashmë po bëhet e vështirë të gjesh edhe forcë të pakualifikuar pune.

“Kompania jonë ka pasur një turnover punonjësish (raporti i një numri punonjësish që largohen nga një kompani për shkak shkarkimit, ose dorëheqjes ndaj numrit total të punonjësve në listën e pagave në atë periudhë) të pakualifikuar rreth 5% në muaj në vitin e fundit. Zëvendësimi i tyre sa vjen e po bëhet më i vështirë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Gjithashtu, trajnimi i tyre është një kosto e fshehur, edhe kjo në rritje.

Një shqetësim tjetër ka të bëjë me largimin e papritur nga puna të punonjësve, të cilët nuk lajmërojnë në kohë, sipas ligjit, punëdhënësin për dëshirën e largimit, dhe e bëjnë planifikimin e prodhimit të vështirë.

Nga ky drejtim, jemi totalisht të pambrojtur, sepse detyrimi ligjor për punonjësit në këtë rast mbetet vetëm në letër” shprehet z. Çabiri nga Delmon Group Shqipëri.

Kostot në rritje, tregjet të paqëndrueshëm, kompanitë në përshtatje

Mungesa e lëndëve të para, që erdhi si efekt i rritjes së kërkesës në post-pandemi dhe rritja e çmimit të energjisë dhe naftës ndikuan shumicën e industrive, ku ajo automotive dhe e automobilave nuk bënë përjashtim.

Kompanitë konfirmojnë se tregjet mbeten ende nën këtë efekt dhe parashikimet për prodhimin rishikohen vazhdimisht për t’ju përshtatur kushteve të reja.

“Kërkesa e klientit është thjesht e paqëndrueshme, pasi ndikohet edhe nga mungesa e lëndëve të para të ndryshme, të rëndësishme, prandaj këta të fundit detyrohen të ndryshojë planifikimin e prodhimit në vazhdim, duke sjellë, shpesh, edhe ndalimin e tij.

Kjo sigurisht ka efekt të jashtëzakonshëm te ne dhe te të gjithë furnizuesit që duhet të ndjekin të njëjtin trend. Kërkohet të kenë elasticitet me prodhimin dhe përgjatë zinxhirit të furnizimit.

Sot, ndodh me të gjithë furnizuesit e tjerë, është krijuar aftësi për t’iu përgjigjur ndryshimeve në planifikimin e prodhimit në një ose dy ditë. Janë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave urgjente të transportit, si dhe ndryshimeve në rrjedhën normale të zinxhirit të furnizimit me rrugë të ndryshme” pohon z. Sacarfalloto nga SEWS Cabind Albania.

Një tjetër zhvillim që duket se ka ndikuar negativisht kompanitë janë luhatjet e kursit të këmbimit.

“Rritja e vlerës së Lekut në krahasim me Euron për ne që të ardhurat i kemi në Euro dhe shpenzimet kryesisht në Lek ndikon negativisht. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, energjia elektrike ndonëse e subvencionuar ende, ka pasur rritje të qenësishme dhe për më tepër ka shumë paqartësi se çfarë ecurie do të ketë.

Si përfundim, kërkesa është a paprekur, por presioni i kostove në rritje është i madh dhe kërkon ndryshim strategjie në afatgjatë nga ana e Grupit” nënvizon z. Çabiri.

Në kushtet e tregjeve të paqëndrueshme, kompanitë kapen fort pas planeve për rritje të prodhimit që garantojnë më shumë të ardhura dhe paralelisht vijojnë përshtatjen me kushtet e reja./Monitor

 


Shtuar 18.12.2022 07:18