U nda dje nga jeta. aktori Ali Bega rrëfen takimin e parë me Xhevdet Ferrin

Një prej ikonave të kinematografisë, aktori brilant i skenës Xhevdet Ferri, ka mbyllur sytë mbrëmjen e djeshme pas luftës me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk mundi ta fitojë, në moshën 59-vjeçare.

Aktori që shënjoi kinematografinë shqiptare me talentin, me rolet brilante përgjatë karrierës së tij, la një gjurmë që nuk do të shlyhet lehtë. Pak muaj më parë ishte bërë gjysh, por iku përpara se ta shijonte sa duhet këtë gëzim, që i fali vajza e vetme Bora.

Largimi nga jeta i aktorit, Xhevdet Ferri u dhemb të gjithëve, por rolet dhe interpretimet mjeshtërore, do ruhen si një thesar i vyer i kinematografisë shqiptare. Në emisionin “Rudina”, në Tv Klan ishin të ftuar aktorët dhe miqtë e tij, aktori Gazmend Gjoka, producenti Petrit Beci, gazetarja dhe autorja Alma Çupi, aktori Ali Bega, aktorja Zamira Kita që folën në studio për aktorin e ndjerë.

Ali Bega: Xhevdet Ferri meriton shumë më tepër, jo për rastësinë e ditës që ai nuk është më midis nesh, por për gjithë atë dimension të madh, njerëzor, qytetar e artistik që ai rrezatoi pafund.

Aktori, Ali Bega për takimin e tij të parë me të, shprehet: Ai ishte gjimnazist në vit të dytë, të tretë, 16-17 vjeç. Gjimnazi i tij po vinte një dramë të Dritëro Agollit “Fytyra e dytë” dhe regjisori që po punonte me studentët më fton të jap një mendim dhe rolin kryesor e kishte Xhevdeti. Rri shoh provën dhe harrova ç’pashë dhe ç’mund të them për provën, po thashë: Ç’është ky? Ç’është ky zë? Ç’është kjo llogjikë? Ç’është ky sy? Ç’është kjo botë? Ç’është kjo ngarkesë e vërtetë emocionale, aq e natyrshme dhe njerëzore? I them atij të më falësh, nuk do merrem me ty, do merrem me këtë djalin. Kush je? Nga je? Kështu filloi. Ky ishte takimi i parë. E mbaj mend me sekonda./tv klan


Shtuar 17.01.2020 20:11