I shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet në Vorë shkodrani me dy emra

Është finalizuar operacioni policor i koduar “Wanted” në kuadër të të cilët i bë arrestimi i një 30-vjeçari të shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Arian Armani alias Eljfat Saljiu, 30 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E. L., 27 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Fushë Krujë – Vorë, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit të dyshuar me drejtues shtetasin E. L., dhe pasagjer shtetasin Arian Armani alias Eljfat Saljiu, por drejtuesi i tij nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen në drejtim të Vorës. Gjatë ndjekjes, nga automjeti ka zbritur shtetasi Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ndërsa drejtuesi i automjetit së bashku me automjetin janë larguar.

Shtetasi Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ka tentuar të largohet dhe të fshihet në ambientet e një hoteli në Vorë, dhe falë veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është bërë kapja e tij në ambientet e hotelit. Gjatë kontrollit në ambientin e hotelit ku ky shtetas ka tentuar të fshihej, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 30-vjeçari i arrestuar, ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Shkodër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Vijon puna për kapjen e shtetasit E. L.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/