Nga apartamentet te makinat luksoze, Habilajt kërkojnë në Gjykatën e Lartë t’u kthehen pasuritë e konfiskuara

Anëtarët e fisit të Habilajve, kanë kërkuar në Gjykatën e lartë që t’i kthehen pasuritë e konfiskuara.
Sipas A2 CNN, Moisi e Florian Habilaj kanë dërguar një rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm të qershorit 2022.
Vendimi në fjal la në fuqi Shkallën e Parë për kalim në llogaritë shtetit të 9 pasurive të tyre dhe familjarëve, me një vlerë prej gati 80 milionë lekë të rinj në total. Pasuritë që kërkojnë të rimarrin Habilajt janë 2 apartamente, një garazh 514 m2, një njësi tregtare, si edhe 5 automjete të markave të ndryshme, mes të cilave edhe Audi A8.
Anëtarët e grupit të Habilajve, u hetuan nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, në të njëjtin dosje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pasi çështjet u veçuan, ata u fajësuan nga Gjykata e Posaçme në maj të vitit 2021 me 37 vite burg në total për akuzën e “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Moisi Habilaj mori dënimin më të rëndë, 10 vite burg në mungesë, i akuzuar si drejtues i grupit. Në të njëjtën kohë ata u dënuan me burg edhe nga Gjykata e Katanias në Itali, për trafik të narkotikëve. /albeu.com